Urgjenca e Shkodrës pret 140–150 vizita në ditë, bluzat e bardha e vlerësojnë normale për periudhën

Aktualisht Urgjenca e spitalit rajonal Shkodër po përballon një fluks prej 140-150 vizita në ditë. Për shefin e urgjencës doktor Ardjan Dajtin kjo konsiderohet situatë normale bazuar në periudhën që jemi aktualisht.
“Përgjithësisht situata është në kushte normale, është një numër mesatar”, u shpreh shefi i urgjencës.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë rast që ka rezultuar pozitiv me Covid 19, megjithatë Dajti tregon se janë në situatë vigjilente.
“Deri tani nuk kemi rast të dyshuar por kemi dëgjuar nga media dhe e kemi në vëmendje por nuk kemi një rast konkret”, tha Dajti.
Rastet më të shpeshta që paraqiten në urgjencë janë virozat stinore, problem me tensionin tek moshat e treta apo edhe rastet gastroenterite.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/