Urgjencat, 60% shkojnë me këmbët e veta
E çuditshme, por është e vërtetë që rreth 60 % e pacientëve që ndodhen në urgjencë shkojnë për të marrë ndihmë pa mjetet e autoambulancës. Për më shumë ata drejtohen me makina të rastësishme, me iniciativë personale. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë nuk presin derisa të vijnë specialistët e emergjencave, si dhe nuk e kanë për “kollaj” të kërkojnë ndihmë në numrin 112, shërbim ky falas si nga telefonat e lëvizshëm ashtu edhe ata fiks. Por jo vetëm kaq, qytetarët apo familjarët, të cilët ndodhen pranë një emergjence, bëhen copash për të dhënë maksimumin e ndihmës, shpeshherë pa e ditur se duke e transportuar në mënyrën e gabuar mund të rrisin shkallën e invaliditetit. Kjo, në rastet e aksidenteve. Problemi i urgjencave në spitalin më të madh të vendit, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, është evidentuar disa herë. Bëhet fjalë për shpërndarjen e urgjencave në çdo shërbim, pa pasur një sistem të centralizuar dhe të unifikuar, mbi të gjitha brenda një godine. Dje, në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, ka referuar problematikat që ka aktualisht shërbimi i urgjencës, si dhe mënyra se si është menduar të gjendet zgjidhja.
Urgjencat“Në 60 për qind të rasteve të urgjencave pacientët paraqiten vetë, duke gjetur ndihmë të rastësishme. Ndërkohë që shpesh transporti nuk bëhet sipas kushteve dhe mënyrave të duhura, duke ndikuar në gjendjen shëndetësore, por edhe në shkallën e invaliditetit”, sqaroi zëvendësministri Spahia.
Sipas tij, deri tani “Nënë Tereza” ka pasur një sistem urgjencash të shpërndara. Në këto kushte zgjidhja që mendohet se do të shpëtojë shumë hallka dhe do t’i vijnë në ndihmë një pjese të madhe të strukturave do të jetë masterplani i QSUT-së.
“Pritet që në muajin qershor të inaugurohet sistemi i urgjencave, kjo do të sjellë edhe përmirësim të gjendjes. Deri tani nëpërmjet fondeve janë realizuar trajnimet e stafit, si dhe ka përfunduar procesi i blerjes së aparaturave. Jemi në pritje të instalimit të tyre”, sqaroi Spahia. Sipas tij, duke u nisur nga kushtet, por edhe të dhënat për përballimin e urgjencave, puna është marrë shumë seriozisht, për të realizuar atë qendër të unifikuar, e aq të dëshiruar të urgjencave.
PajisjetPër inaugurimin e masterplanit të QSUT-së, konfirmohet se ka përfunduar blerja e aparaturave dhe ato tashmë ndodhen në fazën e instalimit. Pajisjet mjekësore për këtë fazë janë prokuruar me buxhetin e shtetit, me një fond prej 8 milionë eurosh.
Sipas specialistëve, që referuan në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, niveli i teknologjisë së ofruar i njëjtë me atë të Europës Perëndimore bëjnë diagnostifikimin e saktë dhe përballimin e urgjencave me cilësi dhe në kohën e duhur.
Në katër katet e godinës do të vendosen sterilizimi qendror, departamenti i imazherisë dhe diagnostika funksionale, të cilat do të mbulojnë të gjitha nevojat e spitalit. Në këtë godinë do të vendoset departamenti i urgjencës me 18 shtretër, gjysmë intensivë dhe për observim. Në këtë shërbim do të ketë 30 shtretër kirurgji e përgjithshme dhe 30 shtretër të mjekësisë interne. Në godinë janë parashikuar laboratorët dhe 15 shtretër reanimacioni, hematologjia, sallat e operacionit.
#