Mustafa Arapi: Në gjurmët e Onufrit
Vitet e gjata të punës si restaurues, prekja nga afër e artit bizantin dhe ikonave e kanë grishur piktorin dhe restauruesin Mustafa Arapi të shkojë më tej. Prej disa vitesh i është vënë punës studimore. Më parë ishte Onufri Qiprioti që i mori kohë e mund për të kryer një monografi studimore, ndërsa ka në dorë një tjetër studim për Onufrin e madh. Ikonat e realizuar prej tyre i quan një thesar të madh, por që në asnjë kohë nuk kanë marrë vëmendjen e duhur të strukturave shtetërore.
Prej disa vitesh, përveç punës restauruese, ju i keni kushtuar edhe punë studimore ikonografisë. Si nisi interesi për artin bizantin?
Unë kam punuar thuajse 30 vjet në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe kam qenë gjithnjë i pranishëm në veprat dhe pasuritë që ka pasur vendi ynë, duke përfshirë këtu ikonografinë bizantine, afresket dhe pikturat murale të xhamive. Jam marrë me restaurimin dhe njëkohësisht gjatë këtyre viteve, pasi fillova të kuptoj se ç’ishte arti bizantin, fillova të merresha edhe me studime. Kam dashur vazhdimisht të përmbush tri pikësynime: punën restauruese, studimore dhe krijimtarinë time. Mirëfilli kam filluar me studimet pas 10 viteve të para punë në Institutin e Monumenteve. Fillimisht fillova të eksploroja veprimtarinë e piktorit Onufri Qiprioti, i cili nuk ka të bëjë me Onufrin e madh. Për herë të parë emrin e tij e ka përmendur Theofan Popa, pastaj shumë pak Dhorka Dhamo. Të dy u bënë mbështetje që t’i hyja kësaj rruge eksploruese.
Vazhdimisht ka pasur debate dhe teza të ndryshme për prejardhjen e tij. Ju keni bërë një studim gati monografik. Cilat janë tezat tuaja?
Onufri Qiprioti, nisur nga vetë emri, është aluduar se ka ardhur nga Qipro. Me studimet që kam bërë, kam zbuluar se ky piktor ikën nga Qipro në vitin 1571 me pushtimin që bënë turqit në ishujt e Eudhesës dhe vendoset në Venecia, ashtu siç bënë shumë piktorë të tjerë nga ishujt e Mesdheut. Venecia, ku atëkohë gjendeshin dy kolegje që ekzistojnë edhe sot, “Scuola di albanesi” (Shkolla e shqiptarëve) dhe Vëllazëria greke, shërbente si trampolinë për të kaluar në vende të tjera. Sipas dokumentacionit, pas disa vitesh Onufri Qiprioti zhvendoset në Berat. Gjurmët e para të këtij piktori i marrim nga afresku i Shën Kollit në Berat, 1591. Ai largohet nga vendlindja në vitin 1571, vendoset në Venecia dhe pas një harku kohor prej 21 vjetësh që i shërbeu për formimin si piktor, vendoset në Berat. Sipas studimeve janë rreth 26 ikona të Onufrit Qipriot, i cili ka punuar në kishën e Shën Kollit në Berat dhe Vraho Goranzi në Gjirokastër. është thënë se ka punuar edhe në krah të Onufrit të madh, por kjo nuk është e vërtetë. Nëse bëjmë llogari datash, Onufri Qiprioti i bie që ta gjente Onufrin 98 vjeç. Në fakt ai ka gjetur të birin e Onufrit, Nikollën dhe ka punuar kryesisht në kalanë e Beratit. Qiprioti konsiderohet si pasues i artit të Onufrit, por këtë e them me rezerva, pasi duke vërejtur me kujdes veprimtarinë e Onufri Qipriotit në veprat e tij dallohet qartë influenca e artit të Venedikut, duke nisur që nga elemente më të thjeshta deri te trajtimi i elementeve të veçanta.
çfarë e dallon specifikisht Onufri Qipriotin?
Onufri Qiprioti (i cili jetoi në shekullin XVI-XVII) është i pari nga piktorët ikonografë që gjatë kësaj kohe vendos emrin, datën e të dhëna të tjera në ikona. Po ashtu është i pari që përdor stukorelievin, gjë të cilën e shohim në pikturat e vjetra të Italisë, si te çimabue. Gjithashtu Onufri Qiprioti ishte i pari në botën bizantine që veshjet e Krishtit i dekoron me motive floreale.
Ndërkohë, studimi juaj i radhës i takon Onufrit...
Prej disa kohësh po merrem me veprimtarinë e Onufrit të madh. Unë e konsideroj si një meteor që bie në Shqipëri, është një nga ikonografët e rrallë për sa i takon shekullit XVI. Edhe tek arti i Onufrit ndihen influencat e shkollës së Kostandinopojës dhe ndihet shumë stili dhe tiparet dalluese të artit të Venedikut. Edhe për Onufrin ka pasur teza të vazhdueshme për sa i përket origjinës. Unë mendoj se origjina e piktorit përcaktohet në vendet ku ai ka pikturuar dhe krijimtaria e Onufrit të madh gjendet në trevat shqiptare, në Maqedoninë e sotme, në Kostur, Berat dhe Elbasan. Duke qenë një prift misionar në zonën e Shpatit të Elbasanit, një debat më i ngushtë zhvillohet për origjinën e tij mes qytetit të Beratit dhe Elbasanit. Një mbishkrim i gjetur në kishën e Kosturit, ku thuhet “vij nga qyteti i shkëlqyer VE..tion (dy shkronjat mungojnë)” i ka bërë disa studiues ta lexojnë Beration, të tjerë Venetion. Për mua, duke u nisur nga hapësira e shkrimit, nga ritmi dhe nga psikologjia, mendoj se është Venetion. Në shek VXI nuk mund të mendohet kurrsesi që aty të jetë shkruar Berat. Mua më mbetet që përmes dokumenteve që mund të gjenden në Venecia, në Shkollën e shqiptarëve dhe në Vëllazërinë greke, të marr ndonjë të dhënë që do të sqaronte origjinën. Por, mbi të gjitha, fakti që më intereson është se si Onufri Qiprioti dhe Onufri kanë krijuar në Shqipëri. Onufri i madh ka punuar kryesisht në Berat dhe na ka lënë ikona që përbëjnë thesarin më të madh. Onufri ka krijuar një atelie ku prodhoheshin vepra ikonografike dhe ka pasur piktorë pranë vetes siç ka qenë i biri i tij Nikolla, por edhe të tjerë të mbetur anonimë. Disa studiues, edhe botërorë, e konsiderojnë shkolla e Beratit, por e shoh pak me rezerva, duke qenë se në artin dhe pasuesit e tij reflektohen influenca të artit të Kostandinopojës, Athosit, të Ohrit. Veprat e Onufrit mund të krahasohen me kryevepra, por ne kemi problemin e madh që këto vlera nuk vlerësohen nga shteti.
Ju keni ngritur vazhdimisht problemin e shkatërrimit të ikonave. A janë edhe ikonat e Onufrit pjesë e këtij rreziku?
Synimi im ka qenë të ngre një problem real e jo t’u kundërvihem institucioneve. Shqetësimin e vazhdueshëm e përbëjnë fondi i ikonave që ndodhen prej tetë vjetësh në Muzeun Historik Kombëtar, jashtë çdo kushti klimatik. Mes tyre nuk ka ikona të Onufrit, të cilat ruhen në Muzeun e Beratit dhe në Muzeun Mesjetar të Korçës, ku është bërë punë për restaurimin e tyre. Brezat që do të vijnë do të na shajnë për këto dëme. Ikonat i hoqën nga Instituti i Monumenteve dhe i kanë dërguar në MHK, ku veç kushteve klimatike (në katin e tretë, ku në verë temperatura shkon 50 gradë dhe në dimër -2), mungon një laborator restaurimi. është koha që Ministria e Kulturës së bashku me Institutin e Monumenteve dhe MHK-në, të sqarojnë punën e ikonave, prej të cilave në 8 vjet janë restauruar vetëm 10 prej tyre. Në atë fond gjenden ikona që mund të krahasohen me Leonardon, çimabuen etj.
#