E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencat, si në dogana

Urdhër i veçantë nga spitali: Mos pranoni raste “gjasme”, që nuk janë në emergjencë

Asnjë pacient nuk do të qëndrojë më shumë se 24 orë në shërbimin e urgjencave te “Nënë Tereza”, ndërkohë që mjekët do të duhet t’i justifikojnë mirë të gjithë të sëmurët që presin. Kjo do të thotë se ata do të japin llogari pranë strukturave drejtuese lidhur me detajet e pacientëve të pranuar në spital. Kjo për të mos shkelur rregullat e referimit, si dhe për të ulur fluksin e pacientëve.

Drejtoria e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, ka nxjerrë një urdhër të veçantë për mirëfunksionimin e sistemit të konsultave dhe urgjencës, duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve në urgjencën e spitalit të sëmundjeve të brendshme, dhe reanimacionin e kardiologjisë. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka firmosur një urdhër, i cili ka shkuar dje te të gjithë shefat e pavijoneve. Pika të rëndësishme të këtij urdhri janë evitimi i rasteve të pranuara në urgjencë, të cilët nuk justifikojnë kriteret e urgjencave mjekësore sekondare apo terciare.

Drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme, dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit.

“Të gjitha këto pavijone, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i kardiologjisë dhe shërbimet e kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave të sjellin në drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar. Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre”, sqaroi drejtori Dashi.

Sipas tij, lëshimi i këtij urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në urgjencë. “Ky urdhër do të sjellë mirëfunksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në urgjencë”, është shprehur drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›