E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja hap pas hapi, jo brenda minutës

David Wilshire

Bashkëraporteri për Shqipërinë, deputeti konservator britanik David Wilshire tha në një intervistë për BBC-në se ai ende priste të kishte vështirësi në zgjidhjen e krizës, por se ata ishin të gatshëm të ndihmonin në kapërcimin e problemeve. Zoti Wilshire tha se garancia për zgjidhjen e krizës do të vinte nëse partitë politike në Shqipëri do të kishin besim tek njëra-tjera.

A jeni optimist se do të ketë një zgjidhje të krizës së shpejti?

Kam një optimizëm të arsyeshëm se ne do t'i shohim ata që të ndërmarrin hapin e parë, apo ndoshta dy-tre hapat e parë, drejt një zgjidhjeje të plotë, por nuk pres një zgjidhje të plotë që nesër në mëngjes.

A mendoni se me propozimet që keni bërë juve, partitë do të mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre?

Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Hapi i parë duhet të jetë që opozita të kthehet në Parlament dhe deri sa të ndodhë kjo nuk shkohet gjëkundi. Dhe ne presim hapin e parë që opozita të kthehet në Parlament. Nuk kam shumë dyshim se pas kësaj do të ketë vështirësi. Mendoj që ju do ta shihni se do të flisni me mua dhe kolegët e mi në Tiranë, përsëri para se të kalojë shumë kohë.

A e konsideroni ju veten si garantues të mundshëm të një zgjidhjeje të krizës?

Jo. Të jashtmit mund të ndihmojnë që të ketë lëvizje. Për ndryshimet, marrëveshjen dhe zbatimin e saj, garancitë duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë, duke krijuar besim midis partive politike. Nëse kjo nuk ndodh, ne nga jashtë nuk mund të bëjmë gjë, por ne jemi të gatshëm që të ofrojmë ndihmë çdo herë.

Pra, ajo që ju po inkurajoni është që opozita të hyjë në Parlament dhe atje të diskutojë për shqetësimet që ka?

Po. Shpresoj që tani opozita do të shkojë në Parlament, gjë që do të ishte hapi i parë dhe do të shënonte njëfarë përparimi. Opozita do të përpiqej të diskutonte atje me qeverinë shqetësimet e veta. Nuk do të isha çuditur sikur ata ta kishin të vështirë e madje edhe të pamundur për të arritur një marrëveshje, por në atë moment ne do të ofronim të shkonim përsëri në Shqipëri për t'i ndihmuar në zgjidhjen e problemit tjetër. Nëse ndihmuam për kthimin e opozitës në Parlament dhe shënuam përparim, atëherë nëse dalin probleme të tjera, ne do të shohim se si mund të ndihmojmë t’i zgjidhim edhe ato, e kështu me radhë. Pra, një përparim hap pas hapi, jo një zgjidhje e plotë brenda minutës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›