OKB, plan për bisedime me talebanët
Zyrtari më i lartë i OKB-së në Afganistan bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta paqeje me lidershipin e talebanëve pas 8 vitesh luftë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje politike për situatën e konfliktit. Përfaqësuesi i OKB-së planifikon që të përdorë iniciativat financiare për të bërë për vete militantët, në mënyrë që ata të braktisin luftën dhe t’u futen bisedimeve. Ai parashikon që të ofrojë vende pune dhe madje edhe mbrojtje figurave talebane që do të shmangen nga politika e deritanishme e shefit të tyre, Mullah Omar. Sipas përfaqësuesit të OKB-së, Perëndimi e ka nënvlerësuar deri më tani numrin e talebanëve që i janë futur luftës jo thjesht për para, por për bindje. Kjo, sipas tij, ka bërë që pas strategjisë së re të ndërmarrë nga Obama, edhe kundërpërgjigjja e talebanëve të ketë qenë shumë më e fortë dhe më e dhunshme. Për të arritur organizimin e këtyre bisedimeve, zyrtari i OKB-së ka propozuar një sërë masash që do ta zbusnin situatën shumë të agravuar dhe do të bënin që shumë talebanë të mendoheshin të paktën për mundësinë e bisedimeve në vend që t’i refuzonin ato. Kjo është një sfidë e drejtpërdrejtë e OKB-së për strategjinë e ndërmarrë nga amerikanët dhe NATO në Afganistan dhe vetë politikën e Klintonit, sipas së cilës nuk ka vend për integrimin e talebanëve në bisedime dhe në qeverisje.
#