"Urgjencë" e re për gratë shtatzëna
Gratë shtatzëna do të kenë një qendër më të mirë të urgjencës. Dje, në shtëpinë e gruas "Mbretëresha Geraldinë" u inaugurua qendra e rikonstruktuar e trajtimit të urgjencave. Grave të "ngarkuara" nuk do t‘i duhet të lëvizin nga një qendër në tjetrën, pasi të gjitha aparaturat diagnostikuese do të jenë atje. Të gjitha këto lehtësira ndihmojnë në shëndetin e gruas dhe fëmijës. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ambasadori amerikan, John Withers morën pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të ambienteve të maternitetit që drejtohet nga mjeku i njohur Halim Kosova. "Kujdesi për shëndetin e nënës dhe të fëmijës është një prioritet madhor dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që standardet e shërbimit jo vetëm në këtë maternitet, që është nga institucionet tona shëndetësore më të mira, por në të gjithë vendin të përmirësohen rrënjësisht", tha Ndoka. Qendra e Trajtimit të Urgjencave nuk ka ekzistuar më parë dhe drejtuesit e këtij materniteti e konsideruan mjaft të nevojshme ngritjen e saj. Kjo qendër është pika më e rëndësishme e takimit të pacienteve me stafin mjekësor për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë.