E Diel, 1 Nëntor 2026

Të hartohet statuti i ri, privatët janë mazhorancë

Mazhorancën e Konferencës së Rektorëve aktualisht e kanë drejtuesit e universiteteve private në vend e për rrjedhim edhe vendimmarrjen e këtij organi këshillimor të arsimit të lartë. Kjo për shkak të statusit aktual, që mbështetet ende në ligjin e vjetër të arsimit të lartë, që lidhet me numrat e anëtarëve. Kështu, në përbërjen aktuale të Konferencës së Rektorëve, 12 anëtarë të saj janë drejtues të shkollave të larta publike në vend, por 19 të tjerë u përkasin universiteteve private, që kanë mundur të licencohen gjatë këtyre viteve të fundit. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, ka kërkuar mbledhjen e Konferencës së Rektorëve brenda kësaj jave. Mësohet se në mbledhjet e mëparshme të kësaj strukture përfaqësuesit e universiteteve private nuk janë ftuar të marrin pjesë. Përfaqësuesit e MASH theksojnë se "në këtë mbledhje të parë të Konferencës së Rektorëve do të diskutohet edhe për hartimin e një statuti të ri të këtij organi, në bazë të ligjit të arsimit të lartë, dekretuar nga Presidenti në maj 2007". Mendohet se me këtë statut të ri vendimmarrja të mos ngelet peng në duart e drejtuesve të universiteteve private, por të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›