'Uroj të mos përsëritet më 2009'
TIRANË - Për ish-Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, viti 2009-të ishte një vit zhgënjyes, ndërkohë që shqiptarët prisnin një hap tjetër pozitiv drejt konsolidimit të demokracisë dhe afrimit me ëndrrën e integrimit në BE.
Në intervistën e dhënë për gazetën "Shekulli", Moisiu sheh si zgjidhje të krizës hapjen e kutive të votimit, ndërkohë që shpreson se viti 2010-të do t'i bëjë politikanët shqiptarë që të gjejnë zgjidhjet e duhura.
Z. Moisiu, sapo u mbyll një vit politik, i cili shoqëroi jo vetëm data të rëndësishme për Shqipërinë, por u zhvilluan edhe zgjedhjet parlamentare, për të cilën ende sot dy forcat kryesore politike në vend ndajnë qëndrime krejt të kundërta. Në këndvështrimin tuaj, si ka qenë viti 2009-të për ju?
Vitin 2009-të, jo vetëm unë, por besoj të gjithë shqiptarët e prisnin si një hap tjetër pozitiv drejt konsolidimit të demokracisë dhe afrimit me ëndrrën e integrimit në Bashkimit Evropian. Në realitet doli një vit deziluzioni dhe shpresoj e uroj që për 2010-ën të mos na përsëritet.
Çfarë note do t'i vinit klasës politike shqiptare, një vendi anëtar në NATO dhe që aspiron integrimin në BE?
Si mund të flasësh për nota, pas mendimit që thashë më sipër.
Si do ta vlerësonit qeverinë PD-LSI në 100 ditët e saj të para të qeverisjes?
Është e vështirë të bësh vlerësime të sakta, kur pas gati 20 vjet demokracie, shikon që Kuvendi është i përgjysmuar.
Opozita e ka të qartë, tashmë, qëndrimin e saj. Ajo nuk do të bëhet pjesë e Kuvendit, por edhe kompromisit të kërkuar nga ana e mazhorancës në rast se nuk do të hapen kutitë e votimit.
Si e shikoni zgjidhjen e këtij ngërçi, ndërkohë që mazhoranca përjashton kategorikisht këtë kërkesë?
Jam shprehur edhe herë të tjera se jam në favor të kërkesës për hapjen e kutive. Është e vërtetë që hapja e kutive për një vend që ka 20 vjet demokraci dhe është anëtar i NATO-s nuk është aspak normale, por gjithashtu mendoj se duhet bërë një operacion i vështirë për të sjellë në normalitet procesin zgjedhor në vendin tonë.
Çuditërisht, gjatë gjithë këtyre viteve, zgjedhjet më të mira kanë qenë ato të marsit 1992, d.m.th., të fillimit të proceseve demokratike, ndërsa më vonë në vazhdimësi, veçanërisht që nga viti 1996 zgjedhjet te ne kanë pasur probleme.
Në vazhdimësi vëzhguesit ndërkombëtarë në përfundim të tyre kanë deklaruar- shans i humbur, nuk janë arritur standardet e kërkuara ose janë bërë përparime, por ende ka probleme me arritjen e standardeve, e të tjera përcaktime të këtij lloji.
Shtrohet pyetja, pse na ndodhin këto fenomene, sipas meje, arsyeja është sepse te ne forcat politike ose duan të qëndrojnë në pushtet me çdo kusht apo duan ta marrin atë me çdo kusht. Një fenomen i tillë nuk mund të vërehet në asnjë vend demokratik. Për fat të keq te ne në çdo aspekt shihet zbatimi me besnikëri i këtyre parimeve Makiaveliste.
Kështu, sipas meje, në qoftë se vërtet duam që ta shërojmë këtë plagë të rëndë të demokracisë shqiptare, është e nevojshme të hapen kutitë, për dy arsye kryesore: E para - Të dalë në shesh kush ka dhe s'ka të drejtë për këtë pretendim;
- E dyta - Që më duket më e rëndësishmja, ata komisionerë që janë bërë vegël partiake për të deformuar rezultatet e zgjedhjeve duhet të përgjigjen një herë fort përpara drejtësisë, të cilës do anë qofshin.
Vetëm kështu, komisionerët do të mësojnë, që në zgjedhjet pasardhëse, nuk do t'i binden më telefonatave partiake, por ligjit. Zgjidhja pa tjetër që duhet gjetur, kështu nuk mund të vazhdohet, aq më tepër me brutalitet dhe mungesë kulture qytetare e politike.
Populli thotë se uthulla e fortë kris enën e saj. Pra, politikanët tanë duhet të ulen e t'i diskutojnë këto probleme jo thjesht në interesin e tyre partiak, por në interesin e popullit shqiptar.
Prej kohësh, Presidenti i Republikës ia ka lënë në dorë partive politike që të zgjidhin krizën politike. Sipas tij, zgjidhja e kësaj situate varet nga vetë vullneti i partive politike.
Në fakt juve, në këndvështrimin e një ish-presidenti, çfarë zgjidhje do të jepnit?
Nuk jam i mendimit se unë mund të jap sugjerime dhe këshilla për Presidentin. Në Shqipërinë tonë është e vështirë të japësh receta, sepse jemi kthyer në një vend me shumë të papritura.
Presidenti, i cili, sipas kushtetutës, është simbol i unitetit mund të ndërhyjë, por te ne të gjithë duan të bëhen presidentë. Në qoftë se forcat politike nuk shfaqin dëshirën dhe gatishmërinë për t'u ulur për bisedime, për kreun e shtetit do të ishte e vështirë të ndërmerrte ndonjë hap konkret.
A duhet ta zgjidhë këtë krize Rama dhe Berisha apo do të jenë negociatorë sërish ndërkombëtarët?
Nuk e di kur do të shërohemi nga sëmundja e inferioritetit ndaj ndërkombëtarëve. Unë do të preferoja që këtë krizë ta zgjidhë vetë politika shqiptare dhe ajo i ka mundësitë, kur është ulur dhe ka menduar me seriozitet për fatet e vendit, ajo ia ka dalë të gjejë zgjidhje. Do të ishte në nderin e politikanëve shqiptarë që të gjenin rrugë daljen e duhur nga situata e krijuar.
Nëse jo, a mendoni se zgjedhjet e parakohshme do të ishin mënyra e vetme e zgjidhjes së krizës?
Është e vështirë të jepen receta, por çdo zgjidhje mund të jetë e mundshme. Rëndësi ka që të dilet nga ky batak i rëndë dhe i rrezikshëm ku kemi hyrë. Kam përshtypjen që politikanët tanë ende nuk po kuptojnë se po nuk u mësuam të respektojmë njëri-tjetrin, nuk kemi pse të presim që të na dëgjojnë dhe të na respektojnë të tjerët.
Për vitin 2010, parashikoni të njëjtën klimë të nxehtë politike në vend?
Kam mendimin se ky vit duhet t'i bëjë politikanët tanë të gjejnë zgjidhjet e duhura. Me këtë rast dëshiroj t'i drejtohem të gjithë shqiptarëve me urimet më të mira për vitin 2010-të. Shpresoj që në të ardhmen populli ynë të jetë më i vëmendshëm ditën e votimit.
Kutitë e votimit
Në qoftë se vërtet duam që ta shërojmë këtë plagë të rëndë të demokracisë shqiptare, është e nevojshme të hapen kutitë, për dy arsye kryesore: E para - Të dalë në shesh kush ka dhe s'ka të drejtë për këtë pretendim;
E dyta - Që më duket më e rëndësishmja, ata komisionerë që janë bërë vegël partiake për të deformuar rezultatet e zgjedhjeve duhet të përgjigjen një herë fort përpara drejtësisë, të cilës do anë qofshin. Vetëm kështu, komisionerët do të mësojnë, që në zgjedhjet pasardhëse, nuk do t'i binden më telefonatave partiake, por ligjit.
Për rolin e Presidentit
Nuk jam i mendimit se unë mund të jap sugjerime dhe këshilla për Presidentin. Në Shqipërinë tonë është e vështirë të japësh receta, sepse jemi kthyer në një vend me shumë të papritura.
Presidenti, i cili, sipas kushtetutës, është simbol i unitetit mund të ndërhyjë, por te ne të gjithë duan të bëhen presidentë. Në qoftë se forcat politike nuk shfaqin dëshirën dhe gatishmërinë për t'u ulur për bisedime, për kreun e shtetit do të ishte e vështirë të ndërmerrte ndonjë hap konkret.
Për vitin 2010
Kam përshtypjen që politikanët tanë ende nuk po kuptojnë se po nuk u mësuam të respektojmë njëri-tjetrin, nuk kemi pse të presim që të na dëgjojnë dhe të na respektojnë të tjerët.
Kam mendimin se ky vit duhet t'i bëjë politikanët tanë të gjejnë zgjidhjet e duhura. Me këtë rast dëshiroj t'i drejtohem të gjithë shqiptarëve me urimet më të mira për vitin 2010-të. Shpresoj që në të ardhmen populli ynë të jetë më i vëmendshëm ditën e votimit.