Urrejtja ndaj Shqipërisë, si prikë për të mbetur në politikë
Nuk ka dilema, s’do as mend e as kalem se Edi Rama po mundohet ta këmbejë aksionin e tij politik në parlament, me garancinë për të qëndruar në krye të PS-së, e për t’u zyrtarizuar si njeriu që një ditë do ta qeverisë Shqipërinë. Kasnecët e tij e thonë qartë e shpesh se Edi Rama s’ka për ta ulur barrikadën e parlamentit, lidhur me votimin e ligjeve – parakushte të Evropës - që kërkojnë 84 vota, nëse s’merr garancinë se do të mbetet në politikë e do të mbështetet për t’u bërë së afërmi kryeministër.
Por kjo patologji politike e Ramës, për shkak të simbiozës së karrierës politike me poltronën e kryebashkiakut të Tiranës po e çon peshoren e publikut tek një analizë më e detajuar, më e ftohtë e më jopolitike, për shkak të renditjes së poshtër që po i etiketohet Shqipërisë, asaj të vendit problematik të Ballkanit, e cila s’po e fiton dot statusin e vendit kandidat për në BE. Evropianët tani s’po mbajnë gjë të fshehtë dhe po e thonë hapur, se 12 parakushtet e shqiptuara në raportin e vjeshtëm të Brukselit s’mund të anashkalohen e statusi s’mund të jepet pa miratimin e një sërë ligjeve me 84 vota.
Përdorimi i gjuhës së drunjtë ka lidhje në fakt me bojkotin parlamentar dhe me veton që Edi Rama po zbaton, një sjellje politike, që po tentohet të shkëmbehet me një prikë politike. Barrikada parlamentare s’po rrëzohet edhe pse Bashkimi Evropian e ka rrëzuar barrikadën diplomatike dhe i ka shqiptuar “parakushtet” e veta, të gjitha veç që Shqipëria të marrë rolin që i takon, atë të një vendi të rëndësishëm të Evropës Juglindore, e cila do të luajë vendin e prodhuesit të stabilitetit të rajonit, derisa ajo të bëhet anëtare e unionit, e të luajë, jo veç për këtë pjesë, por edhe për më gjerë, vendin e gardianes së paqes e stabilitetit. Kjo barrikadë s’po bie për shkak të qëndrimit apatrid që po shfaq lideri i saj, qëkur hyri në qeveri më 1998 e në PS më 2003-in, por tani kemi ardhur në fazën ky qëndrimi jokombëtar i Edi Ramës nuk i shpjegon të gjitha. Ky qëndrim tashmë çiftëzohet pothuajse me urrejtjen për një Shqipëri pluraliste, demokratike, anëtare të NATO-s dhe aspirante të merituar për integrimin në BE, dhe terminologjia jep më qartë përmasat e dëmit kolektiv që po konsumohet, për shkak të arrivizmit të pacak të kreut të PS. Arrivizmin mund ta përdorim, nëse paramendojmë se Edi Rama është një i sëmurë për pushtet, pasi në shtyp ka edhe teori të tjera që e lidhin këtë sjellje politike me porositë e qarqeve antishqiptare, gjerësisht vendimmarrëse në shtetet e rajonit, të cilat shohin tek kreu i opozitës shqiptare, aleatin e pashpresuar që mund të vonojë disi integrimin e Shqipërisë në BE, vendit që veç dje, në një sondazh, serbët e shpallën si armikun e tyre kryesor.
Duke u endur mes arrivizmit dhe urrejtjes ndaj bashkëkombasve, karakteri formal na detyron ta përcaktojmë sjelljen politike të Edi Ramës, si një shkëmbim të poshtër që i bëhet përfaqësimit politik me ndihmën e palëve antishqiptare, me hipotekën e përzgjedhjes si kryeministër potencial i së ardhmes. Se ç’perspektivë do t’u sjellë shqiptarëve, një qeverim i sponsorizuar nga të vetëklasifikuarit si armiq natyralë të shqiptarëve, kjo mund të kuptohet - bile edhe historia 100-vjeçare e jona është jo fort kurnace me shembuj të tillë – por pas angazhimit panevropian për t’i tërhequr vëmendjen politikës shqiptare për anomalinë e saj, s’mund të mos evidentojmë vokacionin e BE-së për ta integruar Shqipërinë në Union si dhe përkufizimin e reagimit të opozitës shqiptare si një tregti që synon ta këmbejë urrejtjen ndaj vendit amë, me një prikë për ta lënë Edvinin në politikë.