Franko Frattini: Të evitohet aksioni jashtë institucioneve, bojkoti i parlamentit apo edhe nxitja e protestave agresive

Ministrat e Jashtëm të BE-së në një zë të përbashkët për zhvillimet në Shqipëri: Të ndiqen të gjitha instrumentet kushtetuese
“Nëse ka një poçes zgjedhor për t’u kontestuar, kjo duhet bërë para komisionit zgjedhor dhe pastaj instancave gjyqësore. Por duhet evituar çdo lloj aksioni jashtë institucioneve, siç është për shembull bojkoti i parlamentit apo nxitja e protestave agresive në rrugë. Gjithçka duhet të zgjidhet në kuadrin e Kushtetutës shqiptare”.
Ky ka qenë prononcimi i kryediplomatit italian, Franko Fratini, lidhur me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
I pranishëm në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, i cili organizoi dje në Luksemburg Forumin për Ballkanin Perëndimor, ai vuri theksin te zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
Duke theksuar se, “Bashkimi Europian ka bërë një apel shumë të qartë: Të ndiqen të gjitha instrumentet kushtetuese”.
Ndërsa Alain Juppe, ministri i Jashtëm francez ka deklaruar se, “mesazhi ynë për Shqipërinë është i qartë. Nëse vendi do të që përparojë në integrimin europian, duhet të rivendosë dialogun politik”.
Më tej, Samuel Zbogar, ministri i Jashtëm slloven, lidhur me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ka theksuar se “mesazhi më i rëndësishëm është që Bashkimi Europian do ta shikojë Shqipërinë që të përparojë. Ne do të dëshironim që në fund të vitit Shqipëria të mund të marrë statusin e kandidatit së bashku me shtete te tjera, por që të arrihet kjo, duhet që problemet politike në Shqipëri të zgjidhen dhe të rivendoset dialogu politik midis dy forcave më të mëdha në vend, të mbyllet procesi elektoral dhe pas kësaj, të gjitha forcat të mund të zgjidhin reformën elektorale, që situata të tillë të mos përsëriten. Por mesazhi kryesore, është se ne shpresojmë, që situata të zgjidhet, pasi kjo do të bëjë të mundur që Shqipëria të ecë përpara”, tha ai.
Shefja e diplomacisë Evropiane, Catherine Ashton: “Zgjedhjet ishin të qeta dhe transparente”/Pas takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Luksemburg, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, dha një konferencë për shtyp, ku përsëriti edhe njëherë deklaratën e Brukselit, lidhur me situatën politike në Shqipëri.
Baronesha Ashton deklaroi se situata pas zgjedhore në Shqipëri është fryrë së tepërmi nga përplasjet politike të natyrës kontestuese, ndërsa theksoi se kjo duhet të marrë fund për nisur dialogun politik. Duke iu referuar procesit zgjedhor të 8 majit, Ashton tha se, deklarata e diplomatëve të Bashkimit Evropian në Luksemburg thekson qartë se ato përmbushën standardet e kërkuara, por shqetësuese mbetet kontestimi i zgjedhjeve pas përfundimit të tyre.
“Zgjedhjet ishin të qeta dhe transparente, me gjithë disa probleme procedurale. Por, situata politike aktualisht është shqetësuese dhe për këtë arsye, të dyja partitë duhet të kenë bashkëpunim, sikurse nevojitet një dialog. Ne duam që procesi elektoral të përfundojë siç duhet. Kur të njihemi me rezultatin, atëherë ne mund të flasim me qeverinë shqiptare dhe opozitën për hapat që do ndërmarrim më pas. Do të dëshiroja një avancim të qetë, të rregullt dhe transparent të procesit zgjedhor, u shpreh Ashton, duke shtuar se, palët politike duhet të pranojnë vendimet e institucioneve të pavarura”.
Ndërkaq, më herët, Maja Konçijaçiç, zëdhënësja e kryediplomates Catherine Ashton, sqaroi se Bashkimi Evropian pret nga Shqipëria realizimin e reformave.
Sipas saj, mesazhi i Brukselit ka qenë që, Tirana zyrtare të finalizojë procesin zgjedhor si dhe të fokusohet në rrugën e dialogut politik, për të çuar përpara detyrat e Komisionit Evropian.
“Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë diskutuar dhe një herë situatën në Shqipëri dhe ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën aktuale. Ata u bëjnë thirrje liderëve politikë, që të bëjnë të mundur përfundimin e procesit elektoral në mënyrë të qetë dhe konstruktive, por njëkohësisht në përputhje me të gjitha procedurat përkatëse dhe duke lejuar një proces apelimi transparent dhe në përputhje me kornizën ligjore”, u shpreh Konçijaçiç, zëdhënësja e kryediplomates evropiane, Ashton.
Duke shtuar se ministrat e Jashtëm të BE-së po ashtu kanë bërë një thirrje të qartë për rifillimin dialogut politik në vend. “Këshilli i Ministrave i kërkon po ashtu Shqipërisë për të ecur me ritmin e duhur me axhendën Europiane. Por për ta bërë këtë, vendi duhet të përshpejtojë reformat e integrimit. Fokusi duhet të jenë reformat europiane, forcimin e shteti ligjor, krijimin e një klime politike në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh ajo.
Duke përfunduar se ajo që është e rëndësishme është që ky proces duhet të marrë fund. “Ne nuk mund të vazhdojmë me procesin elektoral vazhdimisht kështu. Por ai duhet të marrë fund në përputhje me rregullat dhe ligjet. Ne duam që të gjitha palët në Shqipëri të sigurojnë që kjo do të ndodhë, pasi nuk mund të vazhdojmë kështu. Mund të shtoj gjithashtu, që ministrat e jashtëm janë njohur me iniciativën e Këshillit të Europës për të marrë opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me reformën zgjedhore në Shqipëri, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Ata kanë bërë thirrje për një reformë elektorale”, përfundoi Konçijaçiç.