E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqim në vend të biletave

Një teatër në qytetin e dytë më të madh në Greqi, në Selanik, në vend të biletave po kërkon ushqim nga audienca. Kjo, në mënyrë që t’u ndihmohet shoqatave të bamirësisë për fëmijët jetimë, nënat e ndara dhe të veja, në kohën e recesionit të thellë që po përjeton ky vend.

“Në vend të biletave, audiencave u është bërë thirrje të kontribuojnë me gjera ushqimore që do t’u jepen institucioneve sociale”, thuhet në një deklaratë të teatrit kombëtar të Greqisë veriore.

Po ashtu bëhet e ditur se iniciativa mbulon pesë performanca në mars dhe prill.

Iniciativat qytetare janë shumëfishuar në dy vitet e fundit derisa Greqia ka rënë më thellë në krizën ekonomike, e cila ka lenë mbi një milion të papunë.

Disa grupe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë të paguajnë taksat e rrugëve dhe biletat e trenit, derisa një lëvizje tjetër kërkon të sjellë produktet e fermave në qytetet e mëdha me një çmim të ulët, duke i shmangur zinxhirët e supermarketeve të akuzuara për çmime artificialisht të fryra.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›