Ushqimet dhe ilaçet: Ja kur nuk duhen ngatërruar bashkë
Shumë fruta, shumë perime dhe pak yndyrë i bëjnë mirë shëndetit? Jo gjithmonë. Për shembull, jo kur jemi duke pirë ilaçe të ndryshme. Ushqyerja në fakt ndryshon mënyrën se si trupi asimilon ilaçet. Lëngu i grejpfrutit fuqizon në mënyrë të rrezikshme efektin e ilaçeve të përdorura kundër kolesterolit dhe ky lloj kombinimi mund të shkaktojë edhe vdekjen. Sipas studimeve të fundit, sidomos amerikane, edhe portokajtë, shega, ribesi, madje edhe vaji i ullirit kanë një efekt të ngjashëm, e pse jo kaq të rëndë. Shumë luleshtrydhe, të pasura me histaminë, ulin efektin e ilaçeve kundër astmës. Po ashtu, perimet me fletë të gjelbra, si spinaqi dhe sallata jeshile, nëse shoqërohen me antikoagulues, favorizojnë hemorragjitë. Po ashtu ushqimet e yndyrshme minimizojnë efektin e ilaçeve kundër epilepsisë. Ushqimet ndërveprojnë me ilaçet në dy mënyra të ndryshme. Disa mund ta pengojnë trupin të absorbojnë ilaçe të caktuara, të tjerë lehtësojnë asimilimin, duke përforcuar efektet pozitive dhe negative të tyre. Natyrisht, duhet që ushqimet në rrezik interference me ilaçet, të konsumohen në doza të mëdha. Pak vaj në sallatë nuk përbën ndonjë ndryshim. Por nëse hahet, apo pihet një ushqim në sasi të madhe, ndoshta për shkak të vetive të tij antioksidues apo pastruese dhe në të njëjtën kohë pimë ilaçet, duhet të kemi shumë kujdes. “Nëse ushqimet merren në doza të mëdha, kanë efekte anësore të barabartë me atë të ilaçeve dhe mund të ndërveprojnë me to, duke fuqizuar ose minimizuar efektin me pesë apo dhjetë herë”, shpjegon Patrick Stover, drejtor i departamentit të shkencave të ushqimit në “Cornell University”. Prandaj gjithmonë duhet lajmëruar mjeku nëse pacienti është duke marrë integratorë ushqimorë. Për shembull, një lloje erëze forcon punën e antidepresivëve, por minimizon efektet e kontraceptivëve, apo ginko biloba (një lloj bime me veti terapeutike), që nëse shoqërohet me ibuprofenin mund të shkaktojë hemorragji. “Këto dhe ekstrakte të tjera bimore, për shkak të efekteve të tyre, janë përfshirë në sajtin www.interdrugs.net, i krijuar pikërisht për të ndihmuar mjekët të gjejnë ndërveprimet e rrezikshme mes ilaçeve dhe substancave të tjera, për përdorim të zakonshëm”, thotë Filippo Drago, profesor i farmakologjisë në Universitetin e Katanias. Shumë pak e dinë se antistaminikët, ilaçet e gjumit dhe ata qetësues për dhimbjet, nuk duhen pirë me alkool, por biologu John Thor Arnason, i Universitetit të Ottawa-s dhe Brian Foster, i Ministrisë së Shëndetësisë kanadeze, kanë zbuluar se elbi i birrës redukton efektet e Tamoxifenit, një ilaç që përdoret kundër kancerit të gjirit. Ndërkaq, vera e kuqe, arrat dhe çokollata e shkrirë, shumë të pasura me antioksidues, i fuqizojnë ilaçet. “është e rëndësishme që të gjithë, sidomos të moshuarit që marrin njëkohësisht shumë barna, t’i tregojnë mjekut nëse konsumojnë në sasi shumë të madhe ndonjë ushqim të caktuar. Nëse në fletët udhëzuese të ilaçeve është shënuar ndërveprimi me barna të tjera, ka shumë mundësi që të ketë edhe për ndërveprimin me ushqimet”, rekomandon Arnason.
Ushqimet dhe sëmundjet
Ashtu siç e kemi parë, sot studimet tregojnë se nga konsumimi i ushqimeve jo të shëndetshme, si mishi i kuq, ushqimet e rafinuara si orizi i bardhë, buka e bardhë dhe sheqeri i bardhë, ëmbëlsirat, patatinat, hamburgerët, picat, çokollatat, gjalpin, ushqimet me vaj dhe të skuqura, pijet e gazuara, ato me shumë proteina, shfaqen shumë sëmundje në organizëm. Ashtu siç thotë një ekspert i të ushqyerit, "asnjë kafshë në tokë nuk është kaq plot me ushqime të patretura, të thartuara dhe të kalbura nga mbingrënia dhe ushqimet jonatyrore, sa i ashtuquajturi njeri i civilizuar". Të gjitha kimikatet në ushqimet tona, që shtohen për të ruajtur, ngjyrosur dhe për t’u dhënë aromë atyre... ndotja e dëmshme e ajrit që mbyt qytetet tona... pirja e alkoolit dhe pirja e duhanit... sasia e mjekimeve në të cilën njerëzit modernë janë të varur... dhe veçanërisht tensionet emocionale, dobësuese, të cilat prodhojnë ndryshime dramatike të sistemit endokrin, të gjitha këto shtojnë helme kimike në sistemin tonë. Disa nga këto helme mbeturina shkarkohen nga veshkat dhe jashtëqitja, ose nëpërmjet lëkurës gjatë djersitjes. Por shumë helme hyjnë në qeliza, organe, gjëndra, arterie e vena dhe qarkullojnë në sistemin e qarkullimit të gjakut. Këto janë më të vështira për t‘u larguar.
Mjekët e pranojnë se ky grumbullim i helmeve brenda trupit është shkaku kryesor i sëmundjeve dhe jo "mikrobet" e rrezikshme nga jashtë. Bakteret dhe viruset ndikojnë te ne, vetëm kur trupat tanë janë tashmë mjaft të dobët nga papastërtitë e tepërta për t‘u rezistuar atyre. Mikrobet dhe viruset janë në ajër kudo e ngaherë, në ushqimin që ne hamë dhe brenda trupave tanë; ne dorëzohemi vetëm kur sistemi ynë mbrojtës u jep atyre një shans për t‘u rritur dhe riprodhuar brenda nesh. Si rrjedhim, madje, edhe në qoftë se shumë persona mund të ekspozohen te të njëjtat mikrobe që mbartin sëmundje, vetëm disa njerëz "i kap" sëmundja. Mjeku dietetik dr. Leon Patrick thotë: "Kur produktet, mbeturina të brendshme ose helmet mbeten në trup, ne kemi gjendjen e "helmimit të gjakut" (helmim i brendshëm). Përderisa helmimi i gjakut është prania e një sasie të tepërt me mbetje metabolike, kjo është quajtur si shkaku universal i të gjitha sëmundjeve". Sëmundja është përpjekja e trupit për të eliminuar mbeturinat, mykun dhe helmet që pengojnë funksionet normale të tij. Jo sëmundja, por vetë trupi duhet të shërohet duke e pastruar atë nga të gjitha helmet e grumbulluara.
Simptomat e hershme që trupi është i papastër dhe i prekur nga sëmundjet janë: zgjimi në mëngjes me hundë të zëna dhe gëlbazë në fyt, një hundë mbytëse ose "e lëngët", ngjyrë e zbehtë e lëkurës, gjendje nervore e acaruar, një gjuhë e veshur, erë goje dhe aromë e keqe e trupit, marrje mendsh, gazra, dhimbje koke, një ndjenjë rëndese në stomak, oreks i paktë, sy të përskuqur, djersitje e tepërt etj.
#