Oliver Stone dhe aventurat e tij në celuloid
Oliver Stone është një njeri i njerëzve. Për këtë askush nuk ka pikën më të vogël të dyshimit. Jo për shkak të statusit të tij prej një Heminguei të ditëve tona, apo për faktin që është një njeri i veprimit me reputacion për femrat dhe drogën e mirë, por dhe kryesisht për sekuencat e filmit të tij të fundit dokumentar të titulluar “Kufiri jugor”, në të cilin shfaqet edhe vetë krah për krah Presidentit të Venezuelës, Hugo çavez. Por ai është edhe njeri i problemeve të mëdha, me një sërë arrestimesh për posedim të drogës apo për pikëpamjet e tij aspak tradicionale në lidhje me monogaminë, të cilën e ka quajtur “jo natyrale”. Por, mbi të gjitha, ai është dhe vazhdon të jetë “njeri i punës”. Dhe në këtë drejtim mjafton të përmendim veprat për të kuptuar se me kë kemi të bëjmë. Ai është regjisori i “Platoon”, një nga filmat më realistë dhe më të vlerësuar nga publiku për sa i takon temës së luftës së Vietnamit. Ishte një film i bazuar në përvojën e tij personale. Por tema e luftës është trajtuar edhe në shumë filma të tjerë, si “Born on the fourth of July”, “Heaven&Earth”. Ai mund të konsiderohet si regjisori që ka sjellë në ekran filmat më të debatuar dhe më të diskutuar të viteve ’90. Ah, të mos harrojmë edhe “Natural born killers”. Edhe ai ka qenë gjithmonë i mrekulluar dhe kurioz me njerëzit më të fuqishëm në planet. Këtë e tregojnë punët që ka bërë për tre presidentë amerikanë, si filmin “JFK”, me të cilin fitoi edhe çmimin “Oskar”, filmin “Nikson” dhe së fundi edhe filmin për ish-presidentin amerikan, Bush. Ky njeri, me një shije dhe përvojë të tillë, në dukje i ngjan më shumë një profesori se sa një njeriu aventurier, artist e me një guxim të madh. Kur e ke përballë vë re një lloj shpërqendrimi të tij të përgjithshëm ndaj gjërave që ka përreth, apo personave që ka përballë dhe pamja e tij të kujton atë të një akademiku marksist, nga ata që nuk ekzistojnë më.
Edhe pse ai vetë nuk është marksist, ka këndvështrimin e vet personal dhe origjinal për botën dhe në mbështetje të saj ka fakte, argumente, shifra, statistika, emra, data, pra një këndvështrim të tijin mbi politikën bashkëkohore dhe historinë në përgjithësi. Por një nga anët e tij më interesante është ambicia e jashtëzakonshme që ka për projektet dhe interesat personale. Përveç eksplorimit që i bëri socializmit në Amerikën e Jugut me dokumentarin për çavezin, Stone është marrë edhe me anën e errët të kapitalizmit në vazhdimin e filmit “Wall Street: Money never sleeps”. Një film që flet për një shoqëri dhe ambient, ku lakmia jo vetëm është e përmasave të jashtëzakonshme, por mbi të gjitha është e ligjshme. Dhe nuk mbaron këtu, sepse i palodhuri Stone është duke u marrë me projektin e tij të ri super të madh, dokumentarin me 10 seri me titull: “Historia sekrete e Amerikës”.
“është një nga projektet më të mëdha që kam pasur dhe një nga trashëgimitë më të mira që pretendoj të lë pas. Dhe tani jemi në vitin e tretë të xhirimit. është një punë që në fakt i ngjan një lufte që zhvillohet në sheshin e xhirimit dhe në atë të montazhit. është një odise e gjatë që do të kërkojë edhe më shumë kohë për t’u realizuar, sipas synimeve të mia”.
Bëhet fjalë në fakt për një projekt jashtëzakonisht të madh, një mision personal të regjisorit të famshëm që do të përmbledhë gjithë përvojën dhe dijen e 63-vjeçarit që ka pasur shumë eksperienca në jetë. Por jo të gjitha projektet e Stone kanë përfunduar mirë. Për sa i përket filmit të tij të parë serioz “Platoon”, ai ishte një sukses. Ishte një film në formën e një rrëfimi autobiografik për luftën në Vietnam që i dha edhe “Oskarin” e dytë të karrierës. “Oskarin” e parë e mori me filmin “Midnight express”, të cilin e drejtoi dhe shkroi skenarin. Por ndërkohë filmi të cilin ai e ka cilësuar kohë më parë si “gurin e çmuar” të punëve të tij, “Aleksandri i Madh”, pati edhe vërejtjet më të mëdha nga kritika. Për sa i përket pritjes që i është bërë dokumentarit të tij të fundit mbi botën latine “Kufiri i jugut”, ai e ka kaluar dyjavëshin e fundit duke u përpjekur t’i japë një përgjigje një pjese të kritikës që e ka kryqëzuar. Në Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar “çavist”, duke qenë se ai mbështeti çavezin në një pjesë të mirë të filmit. “Unë thjesht i lashë hapësirë çavezit që të fliste dhe të shprehej në lidhje me teoritë e tij. Në këtë mënyrë njerëzit do ta shohin ashtu sikurse ai sheh veten e tij. Në fakt, është një teknikë psikiatrike”, thotë Stone. Gjëja interesante për një njeri si Stone, që është i çmendur pas punës që ka pasur dhe ka arritje të jashtëzakonshme në karrierë, është fakti se pavarësisht të gjithave është shumë i vëmendshëm ndaj kritikave që i janë bërë dhe i bëhen, aq sa di të thotë fjalë për fjalë, edhe pse mund të kenë kaluar shumë vjet, kritika të ndryshme që i janë bërë në vijim të publikimit të veprave të tij. Ndryshe nga sa mund të mendohet për një njeri si ai, Stone ka një mënyrë shumë interesante të të parit dhe të të analizuarit të vetvetes. Ai është një njeri emocional dhe sipas vetë fjalëve të tij, puna që bën është pasojë dhe drejtohet nga emocionet e tij. Ai bën filma se kështu e ka ndier. Shumë nga vendimet e karrierës së tij duket se janë marrë jo të nxitura nga ana pozitive, paraja, apo suksesi, por nga diçka që është shumë më e brendshme dhe më e thellë se kaq. Në një intervistë të shumë kohëve më parë, Stone ka deklaruar se “filmat e tij janë një ‘barometër emocional’”. Dhuna e shprehur në filmin “Natural born killers” është pasojë e trishtimit dhe dhimbjes që ai ndjeu kur gruaja e tij e dytë dhe mamaja e dy djemve të tij, Elisabet, e braktisi. Nisur nga ky këndvështrim, pyetja që mund t’i bëhet Stone është se cila ka qenë gjendja, apo impulsi emocional që e ka nxitur të realizojë vazhdimin e filmit “Wall Street: Money never sleeps”?
“Im atë ishte një republikan dhe e urrente Rusveltin. Dhe kjo ka qenë në një farë mënyre edhe beteja e jetës sime. Duhet të kuptoni se unë u rrita si një republikan konservator. E urreja Kastron dhe shkova në luftë për këtë, por shpejt e kuptova se gjërat ishin ndryshe. Nuk mund ta kuptosh në fakt pa pasur një përvojë të dhimbshme me realitetin. është e njëjta histori edhe me Afganistanin, Irakun, Amerikën e Jugut. Për sa i përket punës sime, ajo në fakt është lufta ime”. Edhe dokumentari “Kufiri i jugut” është një variant tjetër i kësaj lufte të regjisorit. “Realizimi i një dokumentari ishte gjëja e fundit që doja të bëja, por ishte Fernando Sulichin me të cilin punova për filmin “Comandante”, që është edhe financuesi i ‘Historia sekrete e Amerikës’, që më bindi ta realizoja një gjë të tillë”. Dhe kështu nisi aventura e shëtitjes në shumë shtete të jugut të Amerikës dhe takimit me shumë presidentë të kësaj pjese të botës. Në fund të fundit, Stone nuk është se ka bërë diçka ndryshe nga ajo që ka bërë më parë, sepse gjatë gjithë jetës projektet e tij kanë qenë të vështira, të lavdishme, por edhe të kundërshtuara. Nuk është një çudi që i pëlqen të eksperimentojë me zhanre të ndryshme, për më tepër që i ka mundësitë dhe financimet i gjen. Me disa arrin kulmin e suksesit, me disa të tjerë është i shigjetuari i kritikës. Por ai është një person tërësisht i paparashikueshëm dhe askush nuk mund ta dijë hapin e tij të ardhshëm edhe në fushën artistike.
Për sa i përket filmit të parë “Wall Street”, ai doli në vitin 1987 dhe ishte një krijim brilant i një bote të panjohur dhe lakmitare që paratha edhe ngjarjet që do të vinin, madje një vit më vonë: krizën ekonomike. Stone luan në këtë film edhe vetë në rolin e një financieri. Ai thotë se personazhi që interpreton në fakt është i ati, një financier edhe ai. Prindërit e tij u njohën në Paris dhe u martuan, por kryesisht mamaja thuajse nuk ka qenë kurrë e pranishme në jetën e tij. Stone e mban mend fare mirë ditën kur ishte 15 vjeç dhe kur e thirri drejtori i shkollës për t’i dhënë lajmin se prindërit e tij ishin ndarë. Ishte një shkollë me konvikt, në të cilën Stone kishte shkuar që i vogël për të mësuar, larg prindërve. Më pas studioi në Yale në të njëjtin vit me Bushin dhe pikërisht këtu u shfaq edhe shpirti i tij rebel. Ai e la shkollën, e cila në fakt ishte e preferuar nga fëmijët e pasanikëve e kryesisht republikanëve dhe vendosi që të shkruante një roman. I ati u ndje shumë keq nga kjo braktisje dhe mendoi se jeta e të birit do të shkatërrohej, por ja që zgjedhjet e Stone provuan të kundërtën, edhe pse për këtë iu deshën vite të tëra pune dhe përvojash. “Vazhdimi ‘Wall Street’ është një film, në fund të të cilit ngrihet pyetja: Cila është gjëja më e rëndësishme, paraja, apo vlerat njerëzore?”. Stone ka shkruar edhe një roman, në të cilin e shpjegon më mirë marrëdhënien e tij me të ëmën. Romanin e ka shkruar kur ishte 17 vjeç dhe i është rikthyer edhe njëherë në moshën 50-vjeçare. Ai quhet: “A child’s night dream”. “Mamaja ime ishte franceze dhe si pasojë shumë e lirë edhe në veprime. Ishte një person i pakapshëm, i pashpjegueshëm, që për mua ka mbetur një mister”. Vetë Stone ka pasur dhe ka një jetë seksuale shumë aktive me një tërësi lidhjesh martesore dhe jashtë martesore. Aktualisht jeton me gruan e tij të tretë, Sung-jung Jung, koreane. Sipas tij, gratë aziatike janë shumë të ndryshme nga ato europiane dhe se atij i ka pëlqyer gjithmonë mentaliteti i tyre, kryesisht për sa i përket respektit reciprok. Vajza e tyre, Tara, është 14 vjeçe dhe pikërisht fakti që ka një vajzë sipas Stone, ia ka ndryshuar mënyrën e sjelljes dhe të menduarit për femrat. “Kur ke një vajzë arrin që të shohësh aspekte që nuk i ke parë te një femër, aspekte më njerëzore. Një vajzë femër të ndryshon jetën”.
Por gjëja që duket se nuk do të ndryshojë kurrë te Stone është etja e tij për aventura të të gjitha llojeve dhe dëshira e tij gati e sëmurë për të punuar në mënyrë të vazhdueshme. Sa për punën ai punon zakonisht 12 orë në ditë, sepse e di dhe e ndien që ka shumë gjëra për të thënë dhe shumë pak kohë për një gjë të tillë, para se të ndërmarrë një tjetër udhëtim të gjatë...
#