Ushqimet shiten në kushte skandaloze edhe pas gjobave, ankohen konsumatorët
Vetëm në një javë janë vënë më shumë se 20 gjoba, për ushqimet të cilat tregtohen në kushte jo të mira higjienike duke përmendur këtu produktet ushqimore, por edhe ujin e pijshëm apo prodhime të tjera të cilat janë konstatuar nga Inspektorati i
Ushqimit me probleme. Por sërish të gjithë neve kur kalojmë në rrugë na zë syri tregtarë ambulantë të cilët edhe pse është piku i vapës i shesin frutat perimet madje edh prodhimet e qumështit në mes të pluhurit e vapës. Kjo gjë më së shumti ndodh në lagjen Komuna e Parisit ku që në fillim të rrugës syri të zë përgjatë gjithë zonës anësore të trotuarit tregtarë që i shesin frutat e perimet në buzë të rrugës së mbushur me pluhur. Edhe pse perimet si domate, apo speca janë qullur nda dielli e kanë humbur vetinë e tyre ushqyese apo në shumë raste janë të kalbura sërish këta tregtarë askush i ndalon, por edhe në rastet që policia u afrohet tregtarët ambulantë duken të pashqetësuar. Edhe pse kontrolli i ushqimeve ka qenë i përditshëm nga Inspektorati i Ushqimeve burime nga ky institucion thonë për gazetën SOT se problemi kryesor i kontrolleve ka të bëjë me mospraninë e inspektorëve të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët në të shumtën e kohës nuk bashkëpunojnë me inspektoratin e Ushqimit për kontrollet vendosjen e masave ku konstatohen shkelje. Sipas specialistëve të këtij institucioni shumica e tregtarëve, dyqaneve, apo e kompanive që kanë probleme me higjienën duhet të kontrollohen nga inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë pasi inspektorati ka në përgjegjësi të kontrrrollojë kushtet e përgjithshme të tregtarëve apo subjekteve por nuk mund të ndërhyjë në përgjegjësinë e inspektorëve të MSH-së të cilët kontrollojnë higjienën dhe vendosin masa për ato subjekte që nuk e plotësojnë këtë kusht. Lidhur me këtë gjë shumica prej subjekteve vetëm sa janë paralajmëruar edhe pse kanë pasur probleme të mëdha me kushtet higjienike në të cilat prodhohen produktet përkatëse. Nga ana tjetër, janë vetë blerësit të cilët ankohen se në këto ditë të nxehta kanë shumë probleme me ushqimet që blejnë edhe pse me çmime tejet të kripura. Sipas Agron Filipit, një konsumatori që banon afër zonës së shallvareve përpara një jave dy persona nga familja e tij janë helmuar me disa produkte ushqimore të blera në tregun afër shkollës Vasil Shanto. Sipas këtij qytetari edhe pse organet kompetente kanë bërë kontrolle të njëpasnjëshme sërish shitësit ambulantë dalin pa probleme në rrugë ose edhe ata tregtarë që janë brenda tregut kanë probleme të theksuara m higjienën e kushtet ku shiten produktet. Ndërkohë Sait Hoxha një tjetër banor afër lagjes Vasil Shanto, thotë se kontrollet janë kryer vetëm një herë nga inspektorati dhe tregtarët vazhdojnë të shesin në kushte skandaloze produktet ushqimore.
Kushtet
Përveç bulmetit edhe frutat, perimet dhe zarzavatet shiten jashtë kushteve higjieno-sanitare, por këto të fundit lahen dhe nuk përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve dhe konsumatorëve. Ndërkohë që edhe për këto duhet të vendosen rregulla dhe të kërkohet e njëjta masë sigurie, ashtu sikurse për mishin dhe për nënproduktet e qumështit. "E njëjta situatë konstatohet edhe për fruta-perimet, edhe këto shiten në të njëjta kushte ashtu si edhe bulmeti edhe mishi. Por, për këto të fundit, rreziku është shumë i madh, perimet mund të lahen mirë dhe nuk përbëjnë rrezik", pohojnë specialistët e higjienës. Duke parë mundësinë e larjes së këtyre, specialistët e higjienës nuk e kanë parë të udhës vendosjen e gjobave apo plotësimin e procesverbaleve deri më tani ndaj marrja e masave ka qenë në nivelet zero.
Arta AGOLLI