E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e higjienës shton infeksionet në QSUT, sanitaret 5 muaj pa detergjentë

Mjekët: Papastërtitë, shkak i infeksioneve të shumta tek pacientët

Në këto ditë të nxehta vere gjendja e higjienës në  QSUT është kthyer në një nga problemet kryesore të pacientëve e të afërmve të tyre. Sa hyn në pavijonet e QSUT-së, era e keqe është evidente, e cepat e shkallëve që duket sikur nuk janë

pastruar kurrë bien në sy ngado. Për më tepër korridoret e brendshme ka plot raste kur i gjen të papastra por fakti më skandaloz janë tualetet që pothuajse gjithë ditën janë me dyer të hapura e shumica e tyre janë pa lavamanë të shkatërruara dhe pa minimumin e pastërtisë. Aty duket sikur nuk është vënë kurrë dorë nga pastrueset të cilat në shumicën e rasteve nuk kanë mjete e nuk kanë qenë të pakta rastet kur vetë këto punonjëse i kanë blerë me paratë e tyre kovat, leckat apo mjetet e tjera për pastrim. Sanitaret e spitalit të sëmundjeve të brendshme kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOT se që prej 5 muajsh ato nuk kanë furnizime m detergjent kova, lecka apo edhe mjete të tjera të cilat shërbejnë për pastrimin e dhomave. Por nga ana tjetër sipas të afërmve të pacientëve edhe në rastet kur nuk ka probleme mjetesh janë vetë këto punonjëse që në mënyrë të papërgjegjshme i lënë tualetet në pikë të hallit. Lidhur me higjienën në spitale kohët e fundit janë raportuar edhe një shtim rastesh me sëmundje infektive apo infeksione të shumta tek pacientët të cilëve përveç vapës duhet të durojnë dhe mizat apo mushkonjat në çdo orë të ditës. Mjekët kanë deklaruar ditën e djeshme se shumica e infeksioneve vijnë si shkak i papastërtive dhe ka shumë raste muajt e fundit ku pacientët edhe pse të kuruar nga sëmundja për të cilën janë shtruar në spital kanë pasur edhe komplikacionet të infektimeve të ndryshme. Çdo panoramë që mund të shohësh në të gjitha pavijonet e QSUT-së  të sjell ndër mend ËC publike të cilat janë mbartëse të infeksioneve e sëmundjeve infektive. Por as më shumë e as më pak edhe në tualetet, dhomat apo korridoret e spitalit më të madh në vend infeksionet e mikrobet janë kthyer tashmë në mysafirët e përhershëm të spitaleve. Nëse halli të bie të zësh dyert e spitalit, atëherë duhet të lutesh që të mos biesh pre e ndonjë infeksioni për shkak të higjienës tepër të ulët. Një nga problemet kryesore të pacientëve janë tualetet, për të cilat janë edhe pjesa më e madhe e ankesave. Shqetësimi nuk mbaron me kaq, se pas banjave, vjen gjendja alarmante e gardërobës së spitalit, reduktuar së fundi në shtrimin e shtratit.


Higjiena në dhomë
Gjendja e dhomës, përsa i takon gardërobës dhe shtrimit të shtratit, është një tjetër shqetësim me të cilin duhet të ndeshen pacientët. Sipas specialistëve të ISHP-së dhomat përbëjnë mjedisin ku pacientët kalojnë pjesën më të madhe të kohës gjatë qëndrimit të tyre në spital, ndaj dhe në studim këtij elementi iu la një hapësirë për pasqyrimin e mendimeve të tyre rreth 25 për qind e pacientëve shprehen të pakënaqur, pasi në krevatet e pacientëve nuk nxirren kurrë jashtë për tu ajrosur e si shkak i kësaj në shumë raste në brendësi ose në pjesën e poshtme të tij pacientët deklarojnë se kanë gjetur insekte të ndryshme. Qendra Spitalore Universitare, mbetet sërish burim infeksionesh për pjesën më të madhe të pacientëve. Por përveç kësaj të vërtete të hidhur që lidhet direkt me shëndetin e të sëmurëve në spital, një problem që ndikon së tepërmi në përhapjen e infeksioneve të ndryshëm është edhe papastërtia në pavijone e cila është katastrofike dhe burim direkt i mikrobeve që përhapin infeksionet e ndryshme. Është paradoks fakti që në përgjithësi një pjesë e madhe e të sëmurëve përpara se të dalë prej spitalit duhet të jetë i shtruar disa ditë edhe në pavijonet infektivit ku në një mënyrë apo në një tjetër ka marrë ndonjë infeksion të mundshëm. Rreth një vit më parë vetë kreu i Ministrisë së Shëndetësisë Vasili  ka deklaruar se  një nga masat që do të merren në parandalimin e infeksioneve spitalore është edhe lëshimi i një fondi që do shkonte për infeksionet spitalore.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›