Shpresa e mjekëve për të parandaluar Alzhaimerin
Për herë të parë në këto 25 vjet, ekspertët e mjekësisë po propozojnë të ndryshojnë rrënjësisht kriteret diagnostikuese që çojnë në zbulimin e Alzhaimerit, në fushën e studimeve të reja, të cilat në fund do të arrijnë të kurojnë sëmundjen në fazën fillestare. Me këtë iniciativë të re mund të identifikohet sëmundja para se të shfaqen simptomat më evidente, siç është humbja e kujtesës.
Nëse do të vendoset që të ndiqen këto udhëzime, të prezantuara javën e kaluar në një konferencë të rëndësishme ndërkombëtare për Alzhaimerin, sipas disa ekspertëve do të ketë një rritje dy-tri herë më shumë të numrit të subjekteve të prekur nga Alzhaimeri (sot në Shtetet e Bashkuara janë 5.3 milionë njerëz) dhe shumë persona do të arrijnë të diagnostikojnë në kohë këtë prognozë të tyren.
Këto ndryshime, aspak indiferente, mund t’i ndihmojnë shumë shoqëritë farmaceutike, që për herë të parë, po punojnë me ilaçe, të cilat veprojnë mbi sëmundjen në fazat fillestare. Fatkeqësisht për momentin asnjë ilaç nuk ka rezultuar efektiv për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes. Zhvillimi i këtyre udhëzimeve të reja, vepër e ekspertëve të koordinuar nga Instituti Kombëtar për Pleqërinë dhe Shoqata e Alzhaimerit, ka filluar para një viti, falë njohjes së sëmundjes dhe metodave të reja për ta diagnostikuar herët.
Mes kritereve aktuale formale për diagnozën e kësaj patologjie është shfaqja graduale e demencës, humbja e kujtesës, paaftësi për të duruar gjërat e përditshme, si për shembull të vishesh ose të lahesh, si edhe prania e patologjive dhe anomalive të tjera, të njohura ndryshe si “lëmshe”, të cilat shfaqen zakonisht në tru pas vdekjes.
Tani studiuesit janë të bindur se sëmundja shfaqet dhjetë vjet ose më shumë para se të fillojë demenca. Doktor Paul Aisen, studiues i Universitetit të Kalifornisë në San Diego, i cili merret me sëmundje e Alzhaimerit dhe ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të thërritur për gjetjen e kritereve të reja, ka thënë se për momentin nuk mund të japë asnjë lloj opinioni. “Tashmë e konsiderojmë demencën si një fazë shumë të avancuar të sëmundjes”. Mes kritereve të reja janë edhe parametrat e nevojshëm për të gjetur tri fazat e sëmundjes. Këto kritere duhet të jenë efektive, sidomos te personat që është shfaqur demenca, që sipas simptomave është faza e avancuar e sëmundjes. Në lidhje me kriteret e reja, deri më tani, është vërtetuar se sa më shpejt të gjendet diagnoza, aq më shumë mundësi ka për t’u parandaluar. Praktikisht, tentativa e re për të diagnostikuar sëmundjen para kohe mund të çojë në gjetjen e diagnozave të gabuara.
Gjithsesi, diagnozat e realizuara me kriteret e reja janë të prirura ta dallojnë sëmundjen dalëngadalë, ndërsa ajo zhvillohet, pa marrë parasysh pastaj rezultatet e të ashtuquajturave testeve “biomarker”, tomografitë, rezonancat manjetike dhe analizave të palcës së shtyllës kurrizore, që nxjerrin në dritë shenja të ndryshimeve cerebrale. “Biomarker”-at janë përdorur dhe eksperimentuar vetëm kohët e fundit. Një nga teknikat më novatore, “Pet”, është në gjendje të shfaqë pllakën në tru, një shenjë e padiskutueshme e pranisë së patologjisë. “Biomarker”-at e ri tregojnë shenja të tjera të Alzhaimerit, madje edhe atëherë kur te pacientët nuk ka shenja demence, apo humbje të kujtesës. Sipas Aisen, në të ardhmen 50-vjeçarët mund t’u nënshtrohen testeve të “biomarker”-ave për Alzhaimerin. Nëse testi del pozitiv, atëherë ata do të mund të përdorin barna për ta bllokuar atë. Natyrisht që nuk bëhet fjalë për një të ardhme të afërt. Qëllimi i specialistëve mbetet i njëjtë: të ndihmojnë pacientët e prekur nga Alzhaimeri.
#