E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqimet, tregu shqiptar i sigurt

Humbja e jetës të disa foshnjave në Kinë nga sasia e lartë e qumështit me melaminë alarmoi autoritet e të gjitha vendeve që importojnë nga Kina. Të gjithë rritën masat e sigurisë dhe kontrollet për produktet e importuara, me qëllim që produkte të tilla të mos hynin në vendet përkatëse. Këtë frikë e ndien edhe konsumatorët shqiptarë. Shumë syresh u trembën mos sasi të tilla qumështi kanë hyrë në tregun tonë. Po tregu shqiptar a afron sigurinë e duhur ushqimore për konsumatorët e saj? A ka në tregun tonë produkte që nuk plotësojnë standardet e tregtimit? Për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tilla dhe për të pasur një treg me ushqime të sigurta, u organizua dje në Tiranë një seminar ndërkombëtar “Për sigurinë ushqimore”, organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Në këtë takim iu vu theksi rëndësisë që ka kontrolli në dogana për ushqimet e importuara. Por nga ana tjetër edhe vetë konsumatorët duhet t’i kontrollojnë produktet ushqimore para se t’i përdorin, ata duhet të lexojnë etiketat dhe datat e kadencave. Ndërsa konsumatorët besojnë se në shumë raste në tregje tregtohen produkte jashtë standardeve, nuk ndajnë të njëjtin mendim specialistët e Ministrisë së Bujqësisë. Këta specialistë, në bazë të inspektimeve që kanë bërë, deklarohen se tregu ushqimor shqiptar është i sigurt. Sipas tyre, në tregjet tona ka produkte ushqimore të sigurta dhe konform standardeve për konsum në të gjithë vendin. Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë së Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit deklarohen se tregu është nën kontroll dhe i garantuar për konsumatorët. Inspektorët kanë intensifikuar kontrollin e ushqimeve për të garantuar edhe konsumatorët se një produkt i dyshimtë nuk është në tregun vendas. Nisur nga informacioni i tregut ndërkombëtar që pushtoi gjithë opinionin publik mbi problemet e sigurisë shëndetësore me qumështin e prodhuar në Kinë, Ministria e Bujqësisë mori masa për kontrollin e qumështit apo të ushqimeve të tjera, me bazë ushqimore qumështin e prodhuar në Kinë. Kështu, në datën 25 shtator, Inspektorati Ushqimor bllokoi në shkallë vendi gjithë sasinë e qumështit "Milk Panda", të importuar nga Kina, që gjendej në magazinat e kompanisë shqiptare importuese, si dhe në magazinat e doganës shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të bujqësisë, gjatë vitit 2008 janë importuar nga Kina në Shqipëri 139 tonë qumësht "Milk Panda", e cila tashmë është bllokuar nga MBUMK-ja. Analizat e këtij produkti janë dërguar në Itali dhe sipas ekspertëve të ministrisë, rezultatet e tyre do të diktojnë veprimet e mëtejshme me qumështin e bllokuar nga Inspektorati i Ushqimit. Për këtë problem, më datën 3 tetor, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, nxori urdhrin përkatës për ndalimin e importit të qumështit dhe produkteve me bazë qumështi, me origjinë nga Kina për në Shqipëri. Në bazë të urdhrit të ministrit Gjana, u bllokuan edhe sasitë e qumështit dhe produkteve me bazë qumështi, të magazinuara në Republikën e Shqipërisë me origjinë nga Kina, deri në analizimin e tyre për përmbajtjen e melaminës në një laborator të një vendi të Bashkimit Evropian. Nëse pas analizimit përmbajtja e melaminës është mbi limitet e përcaktuara në standarde, produkti do të asgjësohet menjëherë, bënë të ditur burimet e MBUMK-së.

Rezervat ushqimore, MBUMK-ja siguron zonat malore për dimër

Nëse dimri është i egër dhe ashpër dhe zonat malore do të bllokohen, ushqimi për ata do të jetë i sigurt, pasi rezervat ushqimore janë siguruar për këto zona. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit dhe Koordinimit te Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, ka nisur të marrë masa për sigurimin e rezervave ushqimore për zonat veriore të vendit, të cilat bllokohen nga dëbora gjatë muajve të dimrit. Aktualisht, në depot e Rezervave të Shtetit janë depozituar sasi të konsiderueshme ushqimore për të mbuluar nevojat e popullatës në zonat e rrezikuara nga bllokimi në periudhën e dimrit. Nga informacioni paraprak i MBUMK-së, rezulton se rezervat ushqimore llogariten në një shumë prej 35 milionë lekësh, ndërsa po punohet për të realizuar blerje të reja të mallrave bazë ushqimore, në rast nevoje. Në vendin tonë, zonat më të prekura nga bllokimi i reshjeve të borës janë Kukësi, Dibra, Tropoja, Shkodra, Korça.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›