E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me pensionet, në sitë dosjet e të vetëpunësuarve në bujqësi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar në mënyrë informatike regjistrimin e bazës së të dhënave për të vetëpunësuarit në bujqësi për vitet 2006, 2007 dhe po vazhdon sistematikisht regjistrimi informatik edhe për vitin 2008.

ISSH-ja, për të parën herë regjistron historikun e kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi dhe paraqet saktësi, lehtësi, për të gjitha veprimet e mundshme, si për fermerët e siguruar, ashtu dhe për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Nga sistemimi, verifikimi, korrigjimi dhe plotësimi i bazës të të vetëpunësuarëve në bujqësi, për vitet 2006-2007-2008, janë bërë të mundura të gjitha të dhënat e çdo të vetëpunësuari në bujqësi. Në një intervistë për “standard” drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku shpjegon mënyrën e re të funksionimit të regjistrit elektronik, si dhe përfitimi që kanë të vetëpunësuarit në bujqësi. Ai gjithashtu tregon se çfarë po bëhet me frenimin e fenomenit të abuzimeve me pensionet. “Me anë të kësaj mënyre janë krijuar shumë lehtësi si dhe është eliminuar në maksimum mundësia për një punë informale dhe të pabërë publike, siç ka ekzistuar më parë. Testet shoqëruese lejojnë kapjen dhe korrigjimin e shpejtë të gabimeve, si dhe plotësimin në një kohë të shkurtër me të dhëna shtesë ose të modifikuara”, - shprehet drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku.

Të dhënat e të vetëpunësuarve në bujqësi kanë pasaktësi dhe për një pjesë të tyre mungon verifikimi. Si po procedoni për plotësimin e të dhënave dhe regjistrimin sa më të saktë?

Baza informatike e të vetëpunësuarve në bujqësi është krijuar sipas Regjistrave Themeltarë të Kontributeve që ekzistojnë në të gjithë komunat e Republikës së Shqipërisë qysh nga viti 1993, kur ka hyrë në fuqi ligji nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” dhe sipas mandatarkëtimeve që disponojnë, të sistemuara dhe të regjistruara në librat kontabël, degët e financave, në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Regjistrat Themeltarë përmbajnë të dhënat e identitetit të shtetasve, që janë të vetëpunësuar në bujqësi që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, sipas viteve.

Bashkë me të dhënat për identitetin e personit, baza informatike e të vetëpunësuarve në bujqësi përfshin të dhënat financiare për çdo kontributpagues, në lekë, të ndara në shuma që përfaqësojnë: sigurimin shoqëror për pension, sigurimin shëndetësor për mjekim, kamatëvonesën.

Sa e shmang mundësinë e gabimit mënyra e re që po zbaton ISSH-ja?

Gjatë verifikimit dhe sistemimit të bazave të viteve 2006-2007-2008 u krijuan teste më të plota kontrolli në shumë drejtime për të kapur gabimet e mundshme financiare, si dhe gabimet në unifikimin e identitetit dhe NSSH-së së personit.

Nisur nga sa më sipër, mundësia e gabimit për çdo fermer kontributpagues, i regjistruar në bazën informatike është zero, si për shumat e paguara, ashtu dhe për gjeneralitetet e tjera.

Unë mund të them se me futjen e të dhënave në regjistrin informatik u krijua dhe u kodifikua nga ana informatike Harta Administrative e Plotë e Shqipërisë për fermerët e siguruar (me të gjitha komunat dhe fshatrat), e cila ndihmon në saktësimin e vendlindjeve e vendbanimeve, eliminimin e gabimeve në adresat e qytetarëve.

Në këtë këndvështrim u saktësuan përfundimisht adresat e fermerëve të siguruar, duke korrigjuar ato gabime ose paqartësi që rezultonin në regjistrat e hedhura në mënyrë manuale.

Abuzimet me pensionet janë ende një problem. Specialistët e cilësojnë si ngërç. Mund të thoni se me hedhjen e të dhënave në regjistrin elektronik do të ulet mundësia për abuzime?

Me anë të kësaj mënyre janë krijuar shumë lehtësi si dhe është eliminuar në maksimum mundësia për një punë informale dhe të pabërë publike, siç ka ekzistuar më parë. Kjo arritje ka sjellë sot që në të gjitha agjencitë e sigurimeve shoqërore të ndodhen të dhënat e kësaj baze për çdo komunë më vete, duke bërë të mundur që të vetëpunësuarit në bujqësi i shërbehet në moment si në ALSSH, DRSSH dhe në ISSH. Të vetëpunësuarit në bujqësi krijojnë besim për skemën e sigurimit dhe vazhdimin e pagesave për periudhat që u kanë mbetur pa siguruar. Krijohet transparencë e plotë për çdo lloj kontrolli dhe eliminohen abuzimet e mundshme me pagesat dhe periudhat e sigurimit. Baza e të vetëpunësuarve në bujqësi e viteve 2006-2007-2008 është plotësisht e kontrollueshme dhe plotësisht e kuadruar nga ana financiare sipas kontabilizimeve të degëve të financës në rajone dhe në agjencitë në rrethe, duke krijuar një vetëkontroll të menjëhershëm për çdo strukturë. Testet shoqëruese lejojnë kapjen dhe korrigjimin e shpejtë të gabimeve, si dhe plotësimin në një kohë të shkurtër me të dhëna shtesë ose të modifikuara. Lejon krahasimin e NSSH-ve (numri i sigurimit shoqëror) të hedhura nga Rajonet me NSSH-të origjinale në Server, si dhe datëlindjet mbi të cilat janë ndërtuar NSSH-të me ato të regjistruara nga rajonet. Parandalon gabimet në rakordime dhe në gjeneralitetet e personave.

Sa është numri i deritanishëm i fermerëve që keni arritur t’i regjistroni?

Për vitin 2006, janë regjistruar pagesat, së bashku dhe me gjeneralitetet e përmendura më sipër për rreth 125.000 fermerë që kanë paguar kontribute dhe për vitin 2007, janë regjistruar rreth 131.000 fermerë.

Në këtë kuadër, është grumbulluar dokumentacioni i fermerëve kontributpagues që me fillimin e skemës, më 01.10.1993 e deri më 31.12.2005, për të përfunduar tërësisht këtë procedurë. Të gjithë fermerët e regjistruar në mënyrë elektronike, janë pajisur me Numrin e Sigurimit Shoqëror, që bën të mundur identifikimin e personit në çdo marrëdhënie pune tjetër ose dhe në çdo transferim.

Çfarë përfitojnë nga ky regjistrim fermerët?

Me anë të regjistrimit elektronik të kontributpaguesve fermerë bëhet e mundur që fermeri menjëherë të marrë informacion për pagesat që ka bërë dhe për vitet respektive që ka paguar në organet e sigurimeve shoqërore.

Kështu, për të marrë një vërtetim për pagesat e bëra, fermeri mund të paraqitet ose ne Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të rrethit ku ushtron aktivitet, në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ose në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, mbasi baza e të dhënave për këto periudha është e kompletuar në të gjitha strukturat e ISSH-së.

Kjo i lehtëson fermerët dhe u shkurton afatin për të marrë një vërtetim që janë të siguruar, shpejton kohën e dhënies së pensionit apo përfitimeve të tjera dhe informon saktësisht ata për pagesat e bëra dhe për detyrimet që kanë për sigurimet shoqërore, deri në plotësimit të moshës për pension.

Nga cili vit keni filluar të rishikoni dokumentacionin e kontributpaguesve?

Po në këtë kuadër, është inventarizuar i gjithë dokumentacioni i vjetërsisë në punë dhe për subjektet urbane, i cili ndodhet pjesërisht në arkivat e ISSH-së, Drejtoritë e Arkivave të rretheve, si dhe në disa likuidatorë, për ndërmarrjen në mbyllje e sipër.

Ky informatizim i të gjithë vjetërsisë së punës për çdo kontributpagues në zonat urbane do të përfshijë të gjithë periudhat, si para vitit 1990, ashtu dhe mbas këtij viti. Sigurisht, kjo është një punë tepër e vështirë, mbasi dokumentacioni i vjetërsisë në punë sidomos, para vitit 1990 është me shumë mangësi dhe i pamirëmbajtur. Për këtë qëllim, ISSH-ja është në procedurë për ndërtimin e një arkivi qendror, ku do të grumbullohet i gjithë dokumentacioni i vjetërsisë në punë, nga të gjitha strukturat e ISSH-së, si dhe nga institucionet që përmendëm më sipër. Me grumbullimin e dokumentacionit, do të fillojë menjëherë dhe hedhja e të dhënave për kontributet e sigurimeve shoqërore për çdo subjekt dhe çdo kontributpagues në veçanti.

A ka një afat kohor për përfundimin e këtij procesi dhe a mendoni se regjistrimi elektronik do të jetë i suksesshëm?

Përfundimi i këtij procesi, krahas mënjanimit të çdo abuzimi me fondet e sigurimeve shoqërore, do të krijonte mundësinë për dhënien në një kohë shumë të shkurtër të përfitimeve që rrjedhin nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore. Për përfundimin plotësisht të këtij procesi po bashkëpunohet ngushtë me pushtetin vendor, për të bërë bilancin e popullsisë rurale, që plotëson kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi. Synimi i ISSH-së është që mbas tërheqjes së pagës së fundit, aplikuesi për pension në muajin e ardhshëm të marrë pensionin e përfituar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›