E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa paralizohet nga moti i keq

Shirat e dendur dhe përmbytjet u kanë marrë jetën të pakën 15 personave

Europa Qendrore dhe ajo Lindore po përballet me kohën e keqe dhe përmbytjet e pamëshirshme që u kanë marrë jetën të paktën 15 personave vetëm në fundjavë. Bilanci i viktimave është ky: tri në Poloni, tri në Gjermani, pesë në Republikën çeke dhe katër në Lituani. Saksonia është më e prekur, sidomos kufiri me Republikën çeke. Por situata është shumë alarmante edhe në Poloni, pas përmbytjeve shkatërrimtare të majit me të paktën 20 të vdekur. Tani qyteti i Bogatynia, me rreth 18.000 banorë, është më e prekura nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë ngritur nivelin e lumit Miedzianka. “Nuk patëm kohë të lajmëroheshim në kohë mbi atë që po ndodhte. Në më pak se një orë qyteti u godit nga një valë e parë përmbytjesh deri në katet e para të shtëpive. Shumë ndërtesa u shkatërruan duke marrë me vete edhe njerëzit”, tha Andrzej Grzmielewicz, kryetari i Bashkisë së Bogatynia në televizionin TVN24. Ai bëri apel për ndihma dhe donacione:
“Kemi nevojë për mjete të specializuara dhe helikopterë që të lejojnë evakuimin e 2000 personave”, shtoi Grzmielewicz.

Për t’i ardhur në ndihmë popullsisë është angazhuar edhe ushtria, policia dhe zjarrfikësit. Po ashtu, Kryeministri Donald Tusk, sipas asaj që raporton televizioni TVN24, u ka premtuar ndihmë financiare viktimave të përmbytjeve.

Në Republikën çeke, numri i të vdekurve është pesë, ndërsa 3 persona konsiderohen të zhdukur, tregon agjencia polake e lajmeve PAP. Janë mobilizuar forca shtesë në ushtri dhe mjetet e urgjencës. Presidenti Vaclav Klaus vizitoi zonën më të prekur, ndërsa qeveria nesër do të mblidhet për të diskutuar lëvrimin e fondeve të emergjencës. Shumë linja hekurudhore janë bllokuar, ndërsa balta po pengon kalimin e kamionëve dhe skuadrave të shpëtimit në zonat më të prekura. Mijëra persona në veri të Republikës çeke gjenden pa elektricitet dhe gaz. Po ashtu, tre persona të tjerë vdiqën të shtunën në Gjermani, në lokalitetin e Neukirchen, në kufij me Republikën çeke. Autoritetet gjermane kanë evakuuar 1400 persona rreth lokalitetit të Goerlitzit, në kufij me Poloninë për shkak të fryrjes së lumit Neisse. Por situata nuk është më e mirë edhe në pjesën tjetër të botës. Pakistani, India dhe Kina janë paralizuar nga moti i keq. Nga përmbytjet më të rënda në historinë e Pakistanit, deri tani janë të prekur rreth 15 milionë banorë. Situata mbetet veçanërisht e rrezikshme përgjatë lumit Indus, niveli i të cilit po rritet me shpejtësi. Reshjet e reja të shiut kanë penguar misionet e shpëtimit. Edhe për ditët e ardhshme meteorologët kanë parashikuar reshje të reja. Në provincat Punjab dhe Sindh, ushtria largoi mijëra vetë për në vende të sigurta. Atje masat e ujit kanë çarë shumë diga mbrojtëse, bëri të ditur një zëdhënës i ushtrisë. Dhjetëra mijëra banorë të Sindhit u larguan, por disa të tjerë refuzuan të evakuohen, pasi trembeshin për vjedhjen e pasurive të tyre. Autoritetet pakistaneze e kanë pasur të vështirë të ndihmojnë të evakuuarit. Shirat e dendur bënë që disa helikopterë të ekipeve të ndihmave të uleshin. Sipas vlerësimit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Jean-Maurice Ripert, përmasat e dëmeve janë shumë më të mëdha nga sa vlerësohej. “Nuk është e mundur të gjesh në kujtesë një dramë të ngjashme. Këto janë përmbytjet më të rënda në historinë e Pakistanit. Dhe ato pasojnë një tjetër katastrofë humanitare: të mos harrojmë që vitin e kaluar në të njëjtën kohë kishim tre milionë të zhvendosur brenda vendit, për shkak të luftimeve mes militantëve dhe ushtrisë pakistaneze. Pra, flasim për një katastrofë pas katastrofe”, tha ai.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›