E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqimi ne vizatimet e Felinit

Tryezat në bollëk, njerëzit dhe ushqimi... në filmat e Federiko Felinit: “La Strada”, “Otto e mezzo”, “Satiricon”, “Roma”, “Casanova”, “E la nave va”, “Ginger e Fred”, “Zëri i hënës”.
Skena përtej të zakonshmes sepse në edhe në origjinë të tyre janë ëndrrat e regjisorit.

Felini ka mbajtur ditar, i quajturi “Libri i ëndrrave”, për vitet 1961-1980 ku vizaton dhe komenton lirisht situata onirike.

Mbi këtë cikël është ndërtuar ekspozita në Tiranë “Ushqimi në vizatimet e Fellinit”. Në këtë formë Instituti Italian i Kulturës i bën homazh Federiko Felinit në 20-vjetorin e vdekjes.
“Donim të përkujtonim 20-vjetorin e vdekjes së Federiko Felinit. Ministria jonë na kishte prezantuar tashmë retrospektivën e tij filmike që e projektuam në Akademinë e Filmit Marubi. Ndërsa Rajoni i Emilia Romanjës që na propozon herë pas herë ide këtë herë sugjeroi “Ushqimin në kinemanë e Felinit”. Sepse Felini i jep shumë rëndësi momentit të tryezës, ushqimit, takimit me familjen dhe  miqtë”, vlerësoi Fulvia Veneziani, Drejtoreshë e IIK.
Jo gjithmonë janë miq. Si ëndrra që janë, këto tryeza drekash e darkash i vizitojnë njerëz që ai ndoshta nuk i ka takuar si Karl Gustav Jung, psikanalisti i shquar dhe ndan me të një fije spageti pafundësisht të gjatë. Ose vizione të frikshme si në rastin e vizatimit ku tavolina është shtruar pranë një sarkofagu që mban brenda kufomën e Felinit. 

“Janë vizatime që ai i bënte në të gjitha rastet. Unë nuk e kam njohur Felinin por duket se kur ai ishte në tavolinë vizatonte mbi copat e kartës që i ndodheshin në dorë. Katër prej tyre janë frymëzuar nga skenat e filmave të tij si te “Zëri i hënës” apo “Amarkord”. Është cikli i vizatimeve të ëndrrave që janë realizuar nga viti 1961 deri në vitet tetëdhjetë. Ne donim të bënim një rrugëtim të kësaj teme dhe kështu ekspozitës i lidhëm edhe ftesën e Françeska Felinit, mbesa e regjisorit me shfaqjen e filmit të saj dokumentar “Duke kujtuar Federiko Felinin””, tha ajo. 

Magjepsja, përshtirja, komikja, makabriteti, erotika janë në botën e ëndrrës së Federiko Felinit. 

Publiku mund ta shohë ekspozitën gjatë orarit kur është i hapur Instituti Italian i Kulturës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›