Ushtarakët kanë nevojë për odeonin e tyre
Azem Parllaku
-Ndoshta shumë më herët edhe Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore, shkurt SHQUP, do të përmendej “na ishte dikur”, nëse nuk do të ndodhnin pak gjëra, të cilat vështirë se janë thënë deri tani. Shpirtërisht me atë kishin lidhur jetën dhe karrierën artistë të shumtë, të cilët edhe mundet të kenë lobuar që ajo të ishte. Ish-ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, në këtë objekt kishte posaçërisht një ambient pritje për homologët e tij që vizitonin Shqipërinë.
Në vitin 2001, ishte Qeveria Italiane e cila në kuadër të ndihmës për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, investoi dhe vendosi në eficensë dy salla multifunksionale në ambientet e Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura, pasi e tillë quhej atëherë. Një vit më vonë në kuadër të një projekti bashkëpunues me Zvicrën, ishte Qeveria e saj ajo që instaloi pajisjet për qendrën audio-vizive, pajisje të cilat ishin një luks i madh për kushtet e vendit tonë në atë kohë. Një subjekt tjetër pothuaj privat, ESKU (Enti Social Kulturor i Ushtrisë) nuk mundi dot të jetë konkurrues për të ofruar një shërbim të tillë edhe pse zotëron pothuaj hapësirën më të madhe në këtë objekt këtu në zemër të Tiranës. Në vitin 2011 institucioni emërtohet Qendra Kulturore e Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, kësaj here asaj i bashkëngjitet Sektori i Botimeve Ushtarake, i cili duhet pranuar se është sektori më efiçent i QKMBM sot.
Jo më tutje, por diku para tre vjetësh Ministria e Mbrojtjes akordon një fond të veçantë për blerje pajisjesh audio-vizive të parametrave HD, ende nuk dihet çfarë është ofruar nga vënia në përdorim e tyre. Pa hyrë më tutje në analizë se çfarë po ndodh me këtë objekt sot, apo nesër, e quajtëm të udhës për të kujtuar se ushtarakët, nuk kanë pse përdoren e kundër përdoren në rastin konkret. Ushtarakët shqiptarë e po kështu dhe ish-ushtarakët duan të ndjehen të respektuar në masën që ata kanë respektuar shtetin e tyre gjatë viteve që i kanë shërbyer. Historikisht, sot e nesër, jo vetëm tek ne por në të gjitha shoqëritë e zhvilluara, zyrtarët e politikës zgjidhen nga publiku për të bërë vepra të mira, ndërsa ushtarakët edukohen dhe shërbejnë si shtetarë të përgjegjshëm nën uniformë. Qytetasit shqiptarë nën uniformën e blertë, e kanë dëshmuar këtë përgjegjshmëri, ndaj nuk kanë pse të vuajnë marrëdhënien dashuri-urrejtje në raport me zyrtarët e politikës, të zgjedhur nga publiku. Edhe QKMBM është pjesë në këtë strukturë, falë përvojës dhe konsulencës të aleatëve tanë në Perëndim.
E parë në këtë këndshikim, nuk bëhet fjalë thjesht për misionin e saj, por dhe për vendvendosjen dhe asetet që ofron. Vendimmarrësit e fushës së mbrojtjes, më mirë nga gjithkush e dinë çfarë rëndësie ka një “odeon” i tillë në qendrën metropolitane. Kurrsesi vendndodhja e saj nuk mund të konsiderohet si tepri në “luksin e bollshëm” për Forcat e Armatosura. Në të gjitha vendet e zhvilluara dhe anëtare të NATO-s, ushtritë kanë odeonin e tyre aty në qendrat e metropoleve. E ndërsa ata e kanë dhe e shfrytëzojnë, ne e “kishim nuk e kishim”. Në shtëpitë e ushtarakëve në vendet e zhvilluara ofrohen shërbime posaçërisht për ushtarakët, jo për t’i diferencuar, thjesht për t’i motivuar, e për t’i sjellë më afër me publikun. Në të tilla odeone ata gjejnë relaksin, bibliotekën, aty ngrenë urat e komunikimit me partnerët dhe shoqërinë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Itali, në Turqinë euro-aziatike, qendra të tilla janë shndërruar në “tempuj” ku ushtria dhe publiku ndërveprojnë. Në “tempuj” të tillë vendimmarrësit e fushës së mbrojtjes presin miq e homologë, komunikojnë me median. Aty çdo individ i shoqërisë, lehtësisht mund të mësoj çfarë është i interesuar të dijë për Forcën e Armatosur. Ndryshe ndodhi tek ne, pasi shtëpitë e ushtarakëve nuk ishin asgjë më shumë se kampe internimi me të vetmin ndryshim, atë të mungesës së gardianit. Janë të shumtë në numër politikanë, shumë mjek, inxhinier, financier, artistë e gazetarë, që dikur kanë jetuar në kampe të tilla, si fëmijë apo të rritur. Kush i quan si parajsë, nuk bën gjë tjetër veçse gabon. Natyrshëm sot nuk mund të kemi nevojën e kampeve të tilla të ferrit, pasi jemi vend anëtar i NATO-s, e në kushte të tilla politikbërësit duhet të mendojnë më shumë për këtë korpus simbolik ushtarakësh.
Nuk është e ndershme tek lexon komente të tilla, në të cilat thuhet që ushtarakët qenkan trajtuar mirë, vetëm e vetëm përse diku në qendër të Tiranës, paska qenë një godinë dhe disa ambiente që përbëkan SHQUP. Kemi vënë re se shumë ish-ushtarakë me gradë të madhe, janë nxituar dhe janë prononcuar sipas shijes, ashtu sikurse ka patur gazetarë në dilemë se çfarë duhet t’i thonë publikut, por një gjë mbetet kryesore të thuhet, që ushtarakët duhet të trajtohen më mirë, sepse tek ata ndjenja e detyrës është më e lartë se çdo vuajtje që përjetojnë. Ish-ushtarakët nuk janë fort të disiplinuar, ende ata nuk dinë çfarë kërkojnë, më shumë nga çdo gjë duhet të kërkojnë përmirësimin e ligjshmërisë, në mënyrë të atillë që armatës së tyre të mos i bashkëngjitet një tabor prej 45-vjeçarësh të cilët ligjërisht, e krejt në mënyrë paradoksale quhen ish-ushtarakë.
Ndërkaq ata duhet ta dinë se në të famshmin SHQUP nuk punon asnjë ushtarak me uniformë, ndërkaq as ata vetë nuk janë mirëpritur kaq bujarisht këtu. E kaluara e hidhur më shumë mund t’i ketë mbajtur në memorie shtëpitë e ushtarakëve për sallat e tyre famëkeqe, ku komisarët ishin dënuar të thonin fjalën e partisë, në vendin ku mund të jenë marrë lloje dënimesh deri në vdekje. E thënë pak më lart koha dhe vendi e shkaktuan këtë debat, që gjithsesi do harrohet shumë shpejt, ashtu sikurse në harkun 20-vjeçar janë harruar harxhimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre.
Në këtë hark kohor janë ripunuar rregullore, apo dhe ligji për autoritetet e komandimit e drejtimit, por ata ende mbeten jo qartësisht të shprehura për një ndarje të kompetencave, ç’ka bën shumë herë të vazhdojnë reminishencat. Ushtarakët janë pjesë e nderuar e shoqërisë shqiptare, të cilët shpesh në kushte të vështira ekonomike, madje deri në kufijtë e varfërisë, pa strehim, pa trashëgimi, pa mundësi pasurimi, pa pjesëmarrje në privatizimin kombëtar, arritën të qëndrojnë dinjitoz në detyrën e tyre fisnike. Vështruar sipas kësaj të vërtete nuk mendojmë që atyre u dhimbset shumë një godinë thjesht si pikë referimi, ndaj të mos i akuzojmë dhe t’i përdorim. Si në të gjitha ushtritë e vendeve të zhvilluara ushtarakëve u takon e drejta për të patur odeonin e tyre, por shumë-shumë më ndryshe nga sa e kanë patur deri tani.