Ushtarët maqedonas, letër zyrtare Ambasadës bullgare

Ushtarët profesionistë maqedonas si duket do ta provojnë fatin e tyre në ushtrinë bullgare.
Ambasada e Bullgarisë në Shkup ka konfirmuar se tashmë ka marrë një kërkesë për një takim me ushtarët e larguar profesionistë të Armatës së Maqedonisë, të cilët kërkojnë marrjen e nënshtetësisë dhe pranimin me detyrë në ushtrinë bullgare.
Siç merr vesh agjencia e lajmeve INA, takimi do të realizohet pasi të kthehen prej pushimeve verore një pjesë e diplomatëve bullgar në Shkup.
Ushtarët maqedonas thonë se, motivi i kërkesës së tyre është neglizhenca nga shteti i Maqedonisë dhe kriza ekonomike.
Koordinatori i ushtarëve të papunë, Ilija Todev, thekson se, një pjesë e madhe e ushtarëve janë të vendosur për të shërbyer në Armatën e Bullgarisë, kryesisht për shkaqe ekzistenciale.
Sipas tij, asnjë prej institucioneve vendore deri më tani nuk është përpjekur për të gjetur një zgjidhje për problemin e tyre.
Ai bëri të ditur se, përmes postës ditë më parë ka dërguar kërkesën për një takim me përfaqësues të ambasadës bullgare në Shkup. (INA)