Ushtarët plagosin presidentin e Mauritanisë

Qeveria e Mauritanisë tha se presidenti, Muhammad Ould Abdel Aziz, është “plagosur lehtë”, kur ushtarët hapën zjarr gabimisht ndaj autokolonës së tij.
Zyrtarët thanë se jeta e presidentit nuk është në rrezik si rezultat i incidentit të së shtunës dhe ai është duke u trajtuar në një spital ushtarak në Nouakchott.
Ministri i Komunikimeve, Hamdi Ould Mahjoub, tha se ushtarët të cilët hapën zjarr me sa duket nuk e njohën karvanin presidencial.
Ministri tha se presidenti është qëlluar në krah.
Incidenti vjen në kohën kur Mauritania po përballet me sulme nga militantët islamikë të Al-Qaedas, me bazë në Malin fqinj.