E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita ia shkakton humbjen e parë Trepçës ‘89

Trepça ’89 e ka pësuar humbjen e parë në këtë kampionat. ‘Xehetarët’ janë mposhtur të dielën në Gjilan nga Drita me rezultat 2:1 – në derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Djelmoshat e Arbnor Morinës kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 20-të, nëpërmjet Xhevdet Shabanit, por mitrovicasit i kanë barazuar shifrat në 1:1 në minutën e 42-të nëpërmjet Ibrahim Pecit. Ndërsa, golin e fitores për Dritën e ka shënuar Ismet Ramushi nga afërsia në minutën e 83-të, pas një gabimi të portierit mitrovicas.

Madje, gjilanasit nga minuta e 5-të kanë luajtur pa njërin prej lojtarëve më të mirë të tyre, Përparim Osmanin, që e theu këmbën në një duel. Me këtë disfatë, Trepça ’89 rrezikon ta humbas edhe kreun e tabelës, ngase atë mund t’ia rrëmbej të hënën Prishtina, nëse e mposht Ferronikelin. Kurse, edhe Drita tani veç iu është afruar kreut.

Vëllaznimi – Hajvalia 1:0

Vëllaznimi ka shënuar fitore të rëndësishme dhe me mjaftë mund, pasi të dielën në Gjakovë e ka mposhtur Hajvalinë me rezultat minimal, 1:0. Hero i gjakovarëve ishte Ermir Nikoliqi, i cili në minutën e fundit të takimit e shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe të fitores për kuqezinjtë.

Të hënën, Prishtina – Ferronikeli

Xhiroja e dhjetë e Superligës përmbyllet të hënën, me takimin ndërmjet Prishtinës dhe Ferronikelit, që zhvillohet në kryeqytet prej orës 15:00. Derisa Ferronikelin do ta kënaqte edhe një barazim eventual, Prishtina do të luftoj vetëm për fitore, me qëllim që t’i rikthehet kreut, pas humbjes së Trepçës ’89 nga Drita, ngase ‘Xehetarët’ tani kanë vetëm dy pikë më shumë sesa prishtinasit, që e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›