Ushtari amerikan Bales do ta pranojë fajin
Një ushtar amerikan, i akuzuar për vrasjen e 16 civilëve afganë, ka pranuar fajësinë, për të shmangur kështu dënimin me vdekje.
Robert Bales është akuzuar për vrasjen e grave dhe fëmijëve në sulmet në shtëpitë e tyre në Kandahar, në mars të 2012-ës, në një nga mizoritë më të këqia të luftës në Afganistan.
Një nga avokatët e tij tha se Bales do pranojë fajësinë për akuzat e vrasjeve me paramendim dhe pastaj do të paraqitet përpara një jurie ushtarake ku do ti përcaktohet dënimi.
Vrasjet ngjallën protesta të ashpra në Afganistan, duke e detyruar ushtrinë amerikane që të ndalë përkohësisht operacionet luftarake në Afganistan.
Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se Bales vuante nga stresi dhe nga një dëmtim i trurit, madje edhe para vendosjes së tij në Afganistan.