E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtari amerikan vret dhjetëra civilë afganë

Të paktën 11 afganë u vranë kur ushtari amerikan sulmoi një shtëpi dhe pesë të tjerë u vranë në një sulm tjetër, bëhet e ditur nga burime vendase.

Në një komunikatë, NATO deklaroi se është duke hetuar në lidhje me këtë incident.

“Ky është një incident për të cilin shprehim keqardhjen tonë më të thellë. U shprehim familjeve të prekura ngushëllimet tona, ndërsa do të hetojmë së bashku me kolegët tanë afganë për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të tmerrshme”, shkruhej në deklaratën e NATO-s.

Sipas disa ushtarëve të tjerë të bazës së Kandaharit, të cituar nga mediat amerikane, ushtari vrasës, emri i të cilit nuk është bërë ende publik, pati një moment krize nervore, përpara se të dilte nga baza së bashku me armën e tij.

Incidenti ndodhi në një moment tejet të papërshtatshëm, pasi klima midis Uashingtonit dhe Kabulit është ashpërsuar, si rrjedhojë e djegies së disa kopjeve të Kuranit në një bazë amerikane, muajin e shkuar, ngjarje që ka sjellë protesta masive dhe sulme të talebanëve në vend, pavarësisht një ndjese zyrtare të paraqitur nga Pentagoni.

Edhe SHBA-ja u shprehu sot ngushëllimet më të sinqerta familjeve të 16 civilëve afganë të vrarë nga një ushtar amerikan në provincën e Kandaharit. “SHBA-ja shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e prekura nga hapja dramatike e zjarrit sot në mëngjes. Ky akt i dhunshëm kundër miqve tanë afganë na trishton”, deklaroi një zëdhënës i diplomacisë amerikane.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-03-11 16:49
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›