Ushtari bënte qitje mbi Kuran, Bush i kërkon ndjesë Al-Malikit
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i ka kërkuar ndjesë Kryeministrit irakian, Nouri al Maliki, dhe ka premtuar nxjerrjen para drejtësisë të një ushtari amerikan që përdorte librin e shenjët të myslimanëve, Kuranin, si shënjestër në qitje. Bush ka kërkuar ndjesë në një bisedë telefonike me Kryeministrin Al-Maliki, i cili kishte theksuar incidenti kishte fyer dhe zemëruar popullatën myslimane të Irakut. "Presidenti amerikan kërkoi ndjesë në emër të Shteteve të Bashkuara dhe premtoi se ushtari përgjegjës për këtë veprim do të dalë para drejtësisë", thuhej në një deklaratë të kabinetit të Al-Malikit. Edhe ambasada amerikane në Irak, ka theksuar se Presidenti Bush, ishte thellësisht i shqetësuar për sjelljen e papranueshme të ushtarit amerikan. Ky i fundit ishte vënë nën masë disiplinore dhe kthyer në shtëpi, pasi ishte gjetur një kopje Kurani e shpuar nga plumbat, në një pistë qitjeje në afërsi të Bagdadit.