E Martë, 3 Nëntor 2026

Ushtria amerikane sulmon me raketa terroristët Houthi në Jemen

Ushtria amerikane lëshoi një valë të re goditjesh kundër objektivave të kontrolluara nga organizata terroriste Houthi në Jemen. Sulmet e së mërkurës, nga anijet dhe nëndetëset amerikane, janë vala e katërt e sulmeve brenda pak ditësh dhe kanë vënë në shënjestër të drejtpërdrejt grupin me bazë në Jemen që mbështetet nga Irani, ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hamasit rrezikon të përhapet në Lindjen e Mesme.

Sulmet u nisën nga Deti i Kuq dhe goditën 14 raketa që komanda i konsideroi një “kërcënim të afërt”. Sulmet pasuan një njoftim zyrtar të mërkurën se SHBA i ka kthyer Houthis në listën e saj të terroristëve globalë të përcaktuar posaçërisht. Sanksionet që vijnë me përcaktimin zyrtar kanë për qëllim të shkëputin grupet e dhunshme ekstremiste nga burimet e tyre të financimit.

“Forcat kryen sulme ndaj 14 raketave Houthi të mbështetura nga Irani, të ngarkuara për t’u gjuajtur në zonat e kontrolluara nga Houthi në Jemen,” tha Komanda Qendrore në një deklaratë të postuar në X të mërkurën vonë. 

“Këto raketa në shinat e lëshimit paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm për anijet tregtare dhe anijet e marinës amerikane në rajon dhe mund të ishin gjuajtur në çdo kohë, duke i shtyrë forcat amerikane të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre të natyrshëm për të mbrojtur veten.”

avarësisht sanksioneve dhe sulmeve ushtarake, përfshirë një operacion në shkallë të gjerë të premten nga luftanijet dhe avionët amerikanë dhe britanikë që goditën më shumë se 60 objektiva në të gjithë Jemenin, organizata terroriste Houthi vazhdon fushatën e sulmeve kundër anijeve tregtare dhe ushtarake.

Incidenti i fundit ndodhi të mërkurën kur një dron kamikaz i lëshuar nga një zonë e kontrolluar nga lëvizja Houthi në Jemen goditi në Gjirin e Adenit anijen e transportit “M/V Genco Picardy” që lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall dhe është nën pronësi amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar paralajmërime të fuqishme ndaj Iranit që ta ndalojë armatosjen e lëvizjes Houthi.

Bastisja e një anije me vela nga forcat amerikane të enjten ndërpreu furnizimin nga Irani të lëvizjes Houthi me pjesë raketash balistike, thanë Shtetet e Bashkuara.

Dy pjesëtarë të marinës amerikane ende figurojnë të zhdukur pasi njëri prej tyre u rrëzua nga anija nga një valë e madhe gjatë konfiskimit dhe tjetri u hodh për ta shpëtuar kolegun e tij.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha të mërkurën se SHBA-të do të vazhdojnë veprimet ushtarake për të parandaluar sulme të mëtejshme nga lëvizja Houthi.

“Ata po e shfrytëzojnë këtë situatë për të kryer sulme kundër anijeve nga më shumë se 50 vende të botës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në rajon për t’i parandaluar sulmet ose për t’i penguar ato në të ardhmen”, tha zëdhënësi i Pentagonit.

Që nga operacionet amerikane dhe britanike të së premtes, në rajon kanë ndodhur disa incidente. Gjatë fundjavës, lëvizja Houthi qëlloi me raketë në drejtim të një destrojeri amerikan, i cili e eliminoi kërcënimin. Të hënën, grupi terrorist goditi një anije tregtare amerikane në Gjirin e Adenit dhe të martën qëlloi një anije që lundronte në Detin e Kuq nën flamurin e Maltës.

Shtetet e Bashkuara reaguan të martën duke goditur katër raketa balistike që po përgatiteshin për t’u lëshuar dhe përbënin kërcënim për anijet tregtare dhe të marinës amerikane në rajon. AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›