BE e shqetësuar për sulmet Pakistan-Iran, Turqia: Dy vendet nuk duan të përshkallëzojnë tensionet

Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës mes Pakistanit dhe Iranit. “Sulmet më Lindjen e Mesme e më gjerë duke përfshirë atë në Pakistan, Irak dhe Iran janë kthyer në një shqetësim të madh për Bashkimin Evropian, sepse shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të atyre vendeve, por gjithashtu kanë një efekt destabilizues në rajon” – vërejti zëdhënësi i Bashkimit Evropian Piter Stano.
Ndërkohë Rusia i bëri thirrje dy vendeve për përmbajtje maksimale, ndërsa çështjet mes tyre t’i zgjidhin përmes mjeteve politike dhe diplomatike. “Moska po e ndjek me shqetësim përshkallëzimin në rajonin kufitar Iran- Pakistan. Çdo operacion antiterrorist jashtë territorit sovran duhet të kryhet në koordinim mes shteteve të përfshira” – thuhet në një deklaratë nga Ministria e Jashtme ruse, e cila më tej shton se është për të ardhur keq që sulme të tilla po ndodhin mes vendeve mike.
Vetë Rusia është dënuar nga vendet perëndimore, pasi filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Ndërsa ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan thotë se Irani dhe Pakistani nuk duan të përshkallëzojnë tensionet mes tyre, pasi një komunikimi me homologët e dy vendeve. “Unë fola me ministrat e jashtëm të të dy vendeve.
Ata më shpjeguan arsyetimet e veprimeve të tyre,” tha Fidan në një konferencë për shtyp në Jordani, duke theksuar se të dyja palët e kishin siguruar se kishin situatën nën kontroll. Pakistani ndërmori të enjten sulme raketore ndaj fqinjit të tij Iranit, pasi ky i fundit sulmoi krahinën pakistaneze të Baluçistanit dy ditë më parë.
/RTSH/