E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ut Pictura Poesis



Pak shprehje të kritikës estetike janë komentuar më shumë përmbi një periudhë prej disa shekujsh sesa shprehja u.p.p., “siç është piktura, ashtu është poezia” (Horaci, Ars Poetica). Madje me shpjegim të pjesshëm, krahasimi horacian i pikturës dhe poezisë ishte aq mëtues sa edhe Augusti i duhur e dëshiroi atë të jetë. Nocioni që poezia dhe piktura janë të ngjashme, kishte pasur disa përdorime edhe para Horacit, i cili me sa duket e dinte – edhe sikur ai mund të mos e ketë hamendësuar, që dëgjuesit e tij do ta kujtonin...

Alan Filreis

Përktheu: Irena Buzi

Pak shprehje të kritikës estetike janë komentuar më shumë përmbi një periudhë prej disa shekujsh sesa shprehja u.p.p., “siç është piktura, ashtu është poezia” (Horaci, Ars Poetica). Madje me shpjegim të pjesshëm, krahasimi horacian i pikturës dhe poezisë ishte aq mëtues sa edhe Augusti i duhur e dëshiroi atë të jetë. Nocioni që poezia dhe piktura janë të ngjashme, kishte pasur disa përdorime edhe para Horacit, i cili me sa duket e dinte – edhe sikur ai mund të mos e ketë hamendësuar që dëgjuesit e tij do ta kujtonin – formulimin më të qartë e më të hershëm të Simonides së Keos (i shënuar fillimisht nga Plutarch-u, De gloria Atheniensium, 3.347 a, më shumë sesa një shekull më pas Ars Poetica): “Poema pictura loquens, picture poema silens” (poezia është pikturë që flet, piktura poezi e heshtur [pa zë]).

Pikëpamjet e Aristotelit – veçanërisht që poezia dhe piktura si arte të imitimit duhet të përdorin të njëjtin element themelor të kompozimit [strukturën], domethënë, intrigën në tragjedi dhe projektimin [përvijimin] në pikturë (shih Poetika, 6.19-20) pajisën autoritetin shtesë për Rilindjen dhe më vonë përpjekjet për të matur shkallën dhe natyrën e ngjashmërisë së arteve (“lidhjen paralele” të arteve) dhe për të përcaktuar rendin e paraprirjes midis tyre (“modelin e shkëlqyer” të arteve). Për më tepër, siç shqyrtoi Rensselaer W. Lee në analizën e tij të shkëlqyer të teorisë humaniste ose doktrinës së pikturës, për të cilin thënia horaciane shërbeu si një lloj miratimi përfundimtar, “shkrimtarët në art shpresojnë dikë që t’i lexojë [u.p.p] “siç është poezia ashtu është piktura””.

Krahasimi horacian, megjithëse i interpretuar, pohoi ngjashmërinë, nëse jo njëjtësimin, ndërmjet pikturës dhe poezisë; dhe nga një thelb kaq i vogël u bë një trup i madh i spekulimit estetik dhe, veçanërisht, një teori arti mbresëlënëse, e cila mbizotëroi në shekujt e 16-të, 17-të dhe në shumicën e atij të 18-të. Ndërsa pak poetë e pranuan pohimin që piktura e tejkalon poezinë në imitimin e natyrës njerëzore në veprim (lëvizje), si edhe në shfaqjen e një Bukurie Neoplatonike Ideale mbi natyrën, shumica e tyre bastisën territorin e pikturës për lavdi më të madhe të poezisë dhe shpallën se piktorët e shkëlqyer janë poetë. Lëvdata e Lukianit për Homerin si piktor i fali autoritetit antik atë pikëvështrim, të cilin e përforcuan Petrarka dhe të tjerë. Midis poetëve që përshkruhen si piktorë-mjeshtra kanë qenë Theocritus, Virgil, Tasso, Ariosto, Spenser, Shakespeare dhe Milton, pa përmendur peizazhistët e shumtë të mëvonshëm në poezinë përshkruese, Pre-Rafaelitët dhe Parnasianët. Piktori dhe kritiku Reynolds e mori shembull Mikelanxhelon, si dëshmia kryesore te “pjesa poetike e artit tonë” të pikturës (Ligjërata 15, 1970). Pra një piktor “poetik” ose mjaft përfytyrues mund të krahasohej me poetët “që pikturojnë”.

U.p.p. ofroi një formulë – suksesi i së cilës “zor se mund të mohohet”, - vërejti Rene Wellek – për analizimin e marrëdhënies ndërmjet poezisë dhe pikturës (dhe arteve të tjera). Sado që e suksesshme, formula horaciane doli e dobishme – të paktën u përdor – në shumë rrethana si normë për të udhëhequr përpjekjen artistike, si një nxitje në argumentin estetik dhe si një element bazë në disa teori të poezisë dhe arteve. E vetme e me shumë shtesa, modifikime dhe shndërrime, u.p.p. frymëzoi një numër komentesh domethënëse rreth arteve e poezisë dhe madje ndihmoi në veprën [e vërtetë] dhe teorinë e disa piktorëve, më veçanërisht, te “Poussin-i i ditur”. Veç kësaj, si vërejtjet e tjera të rëndomta të kritikës, formula horaciane nxiti dhe tërhoqi në vetvete një larmi pikëpamjesh të poezisë dhe pikturës që zor se lidhen me pohimin burimor. Një pjesë tjetër e historisë së krahasimit horacian i përket kritikës armiqësore dhe kundërshtuese. Në veprën Plastikat (1712) Shaftesbury paralajmëroi, “Krahasimet dhe paralel(et)… midis pikturës dhe poezisë janë… pothuajse përherë absurde dhe në rastin më të mirë të detyruara, të çala dhe mangëta”. Kundërsulmi kryesor erdhi me veprën Laokonti (1766), me Lessing-un që luftonte që teoritë e artit të shoqëruara me u.p.p. kishin qenë teoritë themelore, nëse jo i vetmi, u.p.p. ishte krijuesi i konfuzionit të arteve, që ai vajtoi në praktikën dhe teorinë artistike të kohës. R. G. Saisselin në vitin 1961 tregoi se “marrëdhëniet midis arteve motra … ishin më komplekse sesa një lexim i Lessing-ut mund ta udhëhiqte dikë që të besonte”. Qysh atëherë, pra akuza të ngjashme janë ngritur herë pas here, si në veprën Laokonti i ri: Një ese mbi konfuzionin e arteve (1910) e Irving Babbitt, një pengesë deri edhe në kohët e fundit.

Në anën tjetër, nga fundi i shekullit të 19-të ngjashmëria ndërmjet poezisë dhe pikturës doli në një dritë më të favorshme në lidhje me artet e Lindjes – në përgjithësimin rreth “ndjenjës poetike” të pikturës orientale dhe karakteristikave piktoreske të poezisë kineze dhe japoneze dhe, me njohjen përherë - në rritje të artit Lindor, në studimet historike dhe kritike që vendosin më tej marrëdhëniet e ngushta midis poezisë dhe pikturës orientale. Në Kinë poetët shpesh ishin piktorë; dhe kritikët, veçanërisht në shekujt e 11-të dhe 12-të, pohuan paralelizmin ndërmjet poezisë dhe pikturës në gjuhë të afërt me atë të Simonides dhe Horacit. Sipas Chou Sun, “Të pikturuarit dhe të shkruarit janë një dhe i njëjti art”. Të shkruarit nënkuptonte kaligrafinë, e cila lidhte pikturën me poezinë. Pra, një poet mund “të pikturonte poezi”, dhe një piktor të shkruante “poezi të pazëshme”.

Këto pikëpamje Lindore udhëhoqën një numër poetësh në Evropë dhe Amerikë, për të ndjekur rregullat japoneze për poezitë dhe kanonet (rregullat) kineze të pikturës dhe madje të shkruanin-pikturonin poezitë “Orientale” - “imazhet” i paraqiteshin drejtpërdrejt syrit, mbresat “e lira” me pak thekse të rrokjeve dhe vargjeve, përjetimet e gjendjes shpirtërore, epigramat (shënimet) lirike dhe paraqitjet (shenjat) më tepër sesa riprodhimet e natyrës. Por poezitë që pasqyronin prirjen lindore për të marrë parasysh poezinë dhe pikturën si “dy anë të së njëjtës gjë” ishin vepra eksperimentale dhe të specializuara, që përfshinin vetëm pak prej burimeve të të dy arteve. Veç kësaj, analiza kritike e “të njëjtës gjë”, me “dy anët” e saj të pikturës dhe poezisë, vazhdon të jetë aq e vështirë sa edhe shpjegimi i vrojtimit horacian, “siç është piktura ashtu është poezia”.

Sot, piktorët dhe poetët rrallë e studiojnë krahasimin horacian dhe “tekstet” e zgjeruara të traktateve italiane, frënge dhe angleze mbi teorinë humaniste të pikturës, dhe pak artistë shqetësohen nëse piktura ndonjëherë kishte ndonjë epror, ndonjë më të vjetër ose ndonjë motër. Teoritë orientale të përzierjes (shkrirjes), për të mos thënë konfuzionit, të formave të artit janë më të pritshme për të zgjuar interesin në ngjashmërinë dhe rivalitetin ndërmjet poezisë dhe pikturës. Nëse piktura tani duket shumë e larmishme për të lejuar dikë që ta përcaktojë saktësisht atë, e njëjta gjë është e vërtetë për poezinë. Lidhja midis poezisë dhe pikturës pohohej në mënyrë shokuese në periudhën midis viteve 1910 dhe 1930 nga poetët e Futurizmit, Dadaizmit dhe Surrealizmit (për shembull Marinetti, Tzara, Schwitters, Breton) dhe nga poetët e De Stijl-it (për shembull Theo van Doesberg). Në Nju Jork u zhvillua një lidhje e ngushtë midis piktorëve për shembull William Marsden, Marcel Duchamp dhe poetëve të tillë si Mina Loy, William Carlos Williams dhe Wallace Stevens. Në veprën e këtyre poetëve – dhe në veprën e mëvonshme të “Poetëve Konkretë” koncepti i vjetër i u.p.p. u kthye në jetë. Çfarëdo qoftë, pikturë a poezi është e njëjta gjë! Meqë pohimi horacian mund të jetë i dobishëm përsëri, ai mbetet ende i paqartë: nëse poezia dhe piktura janë e njëjta dhe lindën në një dhe të njëjtën kohë, ato mund të rrëzohen së bashku.

Prof. Alan Filreis, specialist në poezinë moderne e kontemporane amerikane dhe politikën letrare amerikane të viteve 1930 dhe 1950, Universiteti i Pensilvanisë.

Ndër librat që ka botuar janë: Korrespondenca e Wallace Stevens-it me Jose Rodriguez Feo (Sekretarët e Hënës, 1986), “Stevens dhe bota e vërtetë” (Princeton University Press, 1991), “Modernizmi nga e djathta në të majtë” (Cambridge University Press, 1994) dy libra mbi poezinë amerikane, artikuj mbi poezinë dhe pikturën moderne dhe mbi politikën e letërsisë së Luftës së Ftohtë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›