E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Durrë-Kukës; Prokuroria rrefehet: Shkelem ligjin



Prokuroria pranoi dje shkeljet ligjore që janë bërë gjatë gjykimit të ccështjes “Basha”. Gjyqtari i ccështjes, Spiro Spiro, reagoi në seancën e djeshme lidhur me datat kur është njohur ish-ministri i Transporteve me aktet, që njihet ajo e 5 dhjetorit. Duke iu referuar nenit 327, pika 2, gjyqtari Spiro tha se Bashës nuk i është lënë kohë për t’u njohur me materialet, pasi sipas dokumentacionit, në të njëjtën ditë që dosja i është dërguar zotit Basha me postë në Ministrinë e Jashtme, i është dërguar edhe Gjykatës së Lartë. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që një person të njihet brenda disa orëve me 7 fashikuj hetimorë të vënë në dispozicion nga akuza. “Ju keni kryer çdo veprim në të njëjtën ditë, dërguat dosjen në Ministrinë e Jashtme, na e sollët edhe ne për gjykim, pa marrë konfirmim që personi kishte marrë dijeni dhe ishte njohur me të apo jo”, - u shpreh gjyqtari Spiro. Por prokurori Kraja u mbrojt me faktin se në kohën që kishte dërguar dosjen në Ministrinë e Jashtme me postë, dy punonjës të kësaj ministrie ia kishin sjellë materialet në derën e prokurorisë mbrëmjen e të njëjtës ditë. I pyetur nga media për këtë deklarim, ministri Basha u shpreh se “unë nuk merrem me fabulat e Prokurorisë, por pres vendimin e Gjykatës”. Për veprimet e kryera nga organi qendror i akuzës pas urdhërimit për ndërprerjen e hetimeve nga Gjykata e Tiranës, pati mjaft debate mes prokurorëve të çështjes dhe anëtarëve të tjerë të Kolegjit Penal. Në përfundim të debateve gjyqësore nga palët me Kolegjin Penal, gjykata caktoi si datë 16 marsin, për të vendosur nëse do të hapet procesi gjyqësor ndaj Lulzim Bashës, apo do të pranojë kërkesën e avokatëve për pavlefshmëri të veprimeve të prokurorisë, duke e pushuar këtë çështje. Kundrejt kësaj, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i përgjigj edhe dje thirrjes së Gjykatës së Lartë për gjyqin që po zhvillohet në ngarkim të tij. Pas legjitimimit të palëve në proces, në fazën e kërkesave paraprake, ministri Basha kërkoi fjalën duke kërkuar prej Kolegjit Penal pushimin e gjykimit. Kjo kërkesë është shprehur dje përmes avokatit mbrojtës të tij, Zef Nikaj, i cili parashtroi një sërë argumentesh pse duhet pushuar si gjykim, madje duke vënë në dispozicion të gjyqtarëve edhe dy vendime të Gjykatës së Apelit që kanë marrë formën e prerë. Po e njëjta kërkesë u parashtrua dje para kolegjit edhe nga avokati i Andi Tomës, Genc Gjokutaj, i cili përmes argumenteve ligjore u shpreh se ky gjykim nuk mund të vazhdojë më nga Gjykata e Lartë. Sipas avokatëve të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha dhe drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma, veprimet e kryera nga organi qendror i akuzës pas datës 6 nëntor 2008 janë të gjitha veprime nul. Këto veprime quhen të pavlefshme, pasi ka dy vendime të Gjykatës së Apelit, njëri që lë në fuqi urdhrin e gjyqtarit Sokol Tona për ndërprerje të çdo veprimi hetimor, dhe tjetri që lë në fuqi vendimin e gjyqtares Fatmira Hajdari, që shpall të pavlefshëm çdo veprim të kryer pas kësaj date për ministrin Basha, madje duke cilësuar si të pavlefshëm edhe veprimin e dërgimit të dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë. Nisur nga këto elemente dhe pretendimit që ministri Basha me këto dy vendime gjykate nuk është i pandehur, atëherë duhet pushuar gjykimi për këtë çështje, pasi kur nuk ka kërkesë për gjykim se është shpallur e pavlefshme, nuk ke se çfarë gjykon, pasi mungon baza ligjore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›