E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradoksi i euroskeptikëve evropianistë



Artan FUGA

1. Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të vërë në dispozicion të Kosovës portin e Shëngjinit. Cilat mund të jenë efektet për të dyja vendet? Sa mendoni se ndikon kjo nismë në marrëdhëniet ndërshqiptare?

Nuk kam se çfarë të them veçse të gëzohem nga ky vendim. Kaq mirë ka bërë qeveria! Edhe më shumë të krijohen zona të lira për të gjithë fqinjët tanë nga të gjitha anët, aq më mirë do të ishte. Ky është evropianizëm. Sigurisht brenda disa prioriteteve dhe logjikave politike e ekonomike. Evropa, gjithmonë e më shumë, do të jetë e krahinave, e regjioneve, jo e shteteve. Kush e quan veten evropianist dhe pastaj kërkon të jetë xheloz ndaj flukseve ekonomike dhe administrative të jashtme mbi territoret sovrane duhet ta dijë se nuk është evropianist. Sovraniteti dhe vetëqeverisja janë dy koncepte të afërta, por nuk janë e njëjta gjë, janë të ndara midis tyre. Te ne ka konfuzion për to. Nga të gjitha drejtimet mund të ecet më tej. Mund ta bëjë edhe me ndonjë port tjetër, për ndonjë vend tjetër. Pa problem.

Ajo që dua të sqaroj është se termi “vënie në dispozicion” që përdoret në media nuk më shkon fort për shtat në veshët e mi. Por, kjo nuk ka ndonjë rëndësi.

Ndërrojmë veshët!

Çfarë do të thotë “vënie në dispozicion”? Ka vend të sqarohet.

Është dhënë me qira për disa vjet? Sa?

Është dhënë si koncesion territori apo vetëm infrastruktura e portit?

I është shitur ndonjë kompanie kosovare?

Është dhënë ekskluziviteti i përdorimit?

Quhet hapësirë ekstraterritoriale për disa vjet?

Konsiderohet zonë e lirë nga taksat? Çfarë është? Të gjitha pranohen, por duhen njohur nga publiku.

Pastaj kur thuhet “në dispozicion të Kosovës”, sikurse e thoni, edhe këtu ka nevojë për sqarime:

Të shtetit kosovar?

Të ndonjë komune kosovare?

Të ndonjë sipërmarrjeje kosovare?

Të kujt pra?

Cilat janë tagrat dhe prerogativat e shtetit kosovar aty?

Do të lejohen të bëhen investime prej tyre?

Kush do ta ketë pronësinë mbi to?

Po tenderime do të bëjë shteti kosovar?

Po problemet ekologjike kush do t’i mbikëqyrë?

Po qytetarët shqiptarë që kanë sipërmarrje pranë apo brenda portit apo punojnë atje, si do të trajtohen? Në bazë të cilave rregullave? Do të paguhen në euro si në Kosovë apo me lekë si në Shqipëri?

Si do të kontrollohen ujërat territoriale?

Kush do ta realizojë logjikën dhe politikën doganore?

Po atë kufitare? Cilët do të jenë policët?

Çfarë lloj mallrash do të kalojnë aty?

Si do të rregullohet kalimi i mallrave dhe transporti i tyre mbi territorin shqiptar nga pikëpamja financiare? Do të ketë procedura taksimi?

Do të doja të kishte më shumë të dhëna në shtyp për këtë, që pastaj të interpretonim. E di që janë hollësi që do të sqarohen më vonë, por nuk është keq që çështjet t’i trajtojmë jo si opinione fluturake, por si procedura sqaruese politikash administrimi.

Por, gazetarët tanë i lënë të kalojnë këto lajme sikur të mos kishin fare rëndësi. Me dhjetëra pyetje i duhen bërë administratës për këtë gjë. Kjo është transparenca me publikun që lejon e mbështet media. Ne flemë mbi lajmin.

Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kosovë duhet, sipas meje, të përmbushin në çdo rast logjikën e kontratave financiare të botës së sotme. Është në të mirë edhe të Shqipërisë dhe të Kosovës, kështu. Me hesape të qëruara, marrëdhënie kontraktuale, bota do të na shikonte me nderim. Nuk kam prirjen ta shoh të lidhur me marrëdhëniet ndërshqiptare, sikurse më pyesni ju, marrëdhënien ekonomike shqiptaro-kosovare. Ta heqim këtë anë në terminologjinë e bashkëpunimit. Termi “vëlla”, “komb”, “ një gjak” përdoren në dreka e darka, në kohë lufte, në kohë ndihme e solidariteti. Patjetër. Tani përdorim një terminologji më të pjekur: kontratë, marrëdhënie tregtare etj.

2. Presidenca çeke e BE-së i kërkoi Shqipërisë mirëkuptim për shtyrjen e afatit të aplikimit për vend kandidat në Bashkimin Evropian për shkak të krizës financiare që ka përfshirë Unionin. Si e komentoni këtë kërkesë? Po arsyetimin e BE-së?

Nuk ka asnjë lidhje mes krizës financiare që fshikullon ekonominë botërore dhe politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Bile mund të thuhet pa ndonjë hezitim të madh që ekonomia evropiane mbahet në këto kushte më mirë se ajo e zonave të tjera të botës dhe e ndien më pak ardhjen e pasojave. Po të mos ishte Evropa e Bashkuar, tregjet e saj të hapura, qarkullimi i lirë i kapitaleve dhe i produkteve, me siguri që situata do të ishte më e keqe. Do të kalojë kriza, me siguri. Është një cikël sikurse kanë qenë të gjithë të tjerët.

Evropa e Bashkuar është më shumë se presidenca e saj e tanishme çeke, me gjithë respektin që i detyrohemi kësaj të fundit. Shtypi perëndimor prej kohësh ka njoftuar dhe ka relatuar pozicione euroskeptike që vijnë nga politikanë të ndryshëm të lartë çekë. Nuk hyj në gjykime ndaj tyre. Mbase kanë të drejtë në atë të tyren, në interesat e tyre, kur kërkojnë një kufizim të zgjerimit evropianist në vende të tjera, kur nuk janë optimistë për politika të përbashkëta evropiane në fushën institucionale apo për një përforcim të institucioneve të Bashkimit. Kjo është puna e tyre, këtu nuk ndërhyhet, por ajo që dihet, është se jo medoemos mendimet dhe opinionet e vendit që ka presidencën janë të detyrueshme apo shprehin qëndrimet përfundimtare dhe të përhershme apo vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.

Kurse për frazën që shtypi relaton se i është thënë ministrit të Jashtëm Basha, nëse ajo është relatuar saktë nga media, sipas së cilës Bashkimit Evropian i ka hyrë uji, i ngjan një shtëpie me ujë dhe si e tillë nuk mund të presë miq, është shprehje e një euroskepticizmi që nuk i përgjigjet as realitetit, por mbi të gjitha nuk përputhet fare as me vlerat, parimet, aspiratat e themeluesve të Evropës së Bashkuar, të cilët e konceptuan dhe e themeluan Evropën e Bashkuar pikërisht për ta bërë të aftë të përballojë krizat ushtarake, ekonomike dhe financiare, sfidat e shekullit të njëzetë e më tej.

Kur e ke një gjë sikur të duket se nuk ke çfarë e do. E krahasoj këtë me tekstet pasionante të viteve ’80 dhe të fillimit të viteve ’90 të evropianistit të madh, Presidentit të parë të Çekosllovakisë së lirë, Havel, i cili “kthimin” e vendeve të Lindjes në gjirin e familjes evropiane e quante proces natyral, legjitim, më së pari politik dhe kulturor, e ku aspekti financiar nuk ishte veçse një mekanizëm, i rëndësishëm, por gjithsesi dytësor. Zgjerimi e shëndosh financiarisht Bashkimin Evropian që ka nevojë për tregje pune, për rinovim të popullsisë së aftë për punë, për hapësira sa më të gjera.

Edhe euroskeptikët kanë të drejtat e tyre në Evropë. Pra, edhe ata janë evropianë. Euroskeptikët evropianë. Ky është paradoksi i shëndetshëm i Evropës, shumëllojshmëria e kulturave që bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Ky paradoks shfaqet pastaj në forma konkrete të lezetshme. Me rastin e marrjes për 6 muaj të presidencës së radhës të Bashkimit Evropian nga Çekia, një artist çek paraqiti para ndërtesës së institucioneve evropiane një krijim ku Franca identifikohej me një pankartë ku shkruhej “grevë”, Bullgaria, më duket, si “nevojtore turke”, Gjermania në formën e autostradave që dikur kishin pas qenë konceptuar edhe si pista avionësh nga regjime që sot gjermanët kanë turp t’i përmendin etj. Është një art euroskeptik, i lirë, evropian, por skeptik, që vetë Evropa e lirë e ka bërë të mundur. Ky është paradoksi. Evropa lejon me shumë tolerancë edhe shprehjen e vlerave që janë skeptike me të. I bën mirë. Është e shkruar në traditat e qytetërimit evropian. Po të mos ishte Evropa dhe ndonjë artist çek, sllovak a tjetër, do të kishte pësuar nja tetë vjet burg, nën diktaturë, qoftë edhe vetëm po ta kishte shprehur si ide, jo më të materializuar këtë estetikë perverse për të cilën ju fola. Por, arti prandaj është i bukur, sepse shkel kufijtë e perversitetit.

Tani le të kthehemi te çështje serioze. Pyetja e parë është se cilat janë anët që e bëjnë legjitime një kandidaturë të mundshme të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian? Ka shumë të tilla. Nuk them se pranimi i faktit të kandidimit është i njëjtë me pranimin e menjëhershëm. Ka një proces që mund të jetë edhe i gjatë, por kjo nuk e pengon kërkesën për të marrë statusin e kandidatit zyrtar. Këto anë pozitive janë:

- Emigracioni shumë i lartë, në raport me popullsinë, i shqiptarëve në Evropë. Këta qindra mijë shqiptarë janë tashmë të integruar atje dhe duhet thënë se gati ka shterur edhe një lloj mosbesimi, i një pjese të mediave evropiane apo i opinionit publik konservator evropian që si zakonisht, histori e lashtë shumë, kërkojnë që hallet e brendshme psikologjikisht t’ua hidhnin të huajve që kishin zbritur në viset e tyre me dëshirën legjitime për të filluar një jetë të re. Me një fjalë është provuar katërcipërisht nga faktet reale se mentaliteti kolektiv i shqiptarëve është krejtësisht i integrueshëm me kulturën e sotme evropiane dhe për këtë nuk ka nevojë të bëjmë arsyetime abstrakte mbi identitetin e shqiptarëve. Është një fakt sociologjik.

- Popullsi relativisht shumë e vogël që jeton në një terren shumë interesant të Ballkanit Perëndimor, me dalje në det, për turizëm, për kalimin e tubave naftëmbajtëse, për porte anijesh apo qejfi, me një vijë bregdetare të gjatë që kontrollon pika të rëndësishme kalimi ujor.

- Popullsi shqiptare që e kanë referencë bazë si vendin e tyre Shqipërinë, shtrirë në të gjitha shtetet fqinje të Ballkanit dhe atje, herë si shumica herë si pakica kontrolluese, kanë një impakt të jashtëzakonshëm mbi jetën politike dhe sociale, kulturore të këtyre vendeve. Një shqiptar që i respektohen të drejtat është kurdoherë një faktor stabiliteti politik. Aq më shumë se në të gjitha krizat ballkanike Shqipëria e tranzicionit ka mbajtur anën e Perëndimit, të Evropës, të Shteteve të Bashkuara dhe pa dyshim, për shkaqe antoropologjike, koniunkturale apo gjeopolitike, qytetërimi shqiptar në këto tri dekadat e fundit është dhe ka qenë shumë më pranë politikave e gjeopolitikave perëndimore sesa qytetërimet e tjera të Ballkanit. Perëndimorët, e bashkë me ta evropianët, e njohin se Shqipëria nuk ka munguar t’i plotësojë ndonjëherë edhe me më shumë zell sesa duhet detyrimet dhe angazhimet e saj për ruajtjen e paqes në botë. Do të jetë në NATO nuk ka përse të mos jetë në Evropë.

- Vend pa konflikte dhe tensione kolektive as në planin fetar, as në planin regjional, as një planin etnik. Bile edhe pa përfaqësime politike brenda apo jashtëparlamentare me tendenca nacionaliste ekstreme, fondamentaliste, raciste apo shqetësuese në raport me historinë e vendit apo të Evropës. Në Shqipëri ndihen mirë edhe hebrenjtë, edhe protestantët, edhe bahajt, për të mos folur pastaj për komunitetet e feve të mëdha tradicionale. Traditat e islamit shqiptar, për aq sa ai besohet dhe praktikohet në Shqipëri, janë krejtësisht të integrueshme në Evropë, bile mund të guxoj të them se Evropa do të kishte përfituar shumë prej tij, ai njihet gjithandej si i tillë.

- Qytetërimi ballkanik dhe brenda tij ai shqiptar konsiderohen si prioritete në zgjerimin e Bashkimit Evropian edhe nga opinioni publik më mesatar evropian: Nga njerëzit e thjeshtë, ata që shkojnë në kafene të dielën në mëngjes, disa edhe në meshë, ata që shkojnë në punë në orët e para të mëngjesit me metrotë e transportit publik, ata që jetojnë me ndihma të asistencës sociale, fermerët e paepur që e mbajnë zonën rurale europiane të bukur si një dhomë miqsh, për të mos folur për gjindjen kozmopolite, sikurse janë artistë, gazetarë, intelektualë, pra nga shumica etj. Mund të ketë diskutime për Turqinë, për Ukrainën, për Bjellorusinë, për Gjeorgjinë, por nuk diskutohet fare Shqipëria. As nuk ka nevoja ligjore për të bërë referendume popullore për të afruar Shqipërinë me proceset e integrimit evropian. Këtë e them jo në tym, por nga sondazhet e opinionit publik në shkallë europiane ku më është dhënë rasti të jem edhe tani që shkruaj bashkautor si edhe nga intervista të panumërta që kam pasur rast të bëj me liderë të opinionit publik evropian.

- Një vend me zona rurale të boshatisura në një shkallë të madhe. Nuk është ndonjë gjë që mund t’i gëzohesh, por nganjëherë të keqen ka nevojë ta lexosh në anët e saj të mira. Problemi i Evropës është se ajo nuk dëshiron të shtojë peshën e popullsive rurale që i mban me asistencë në mbështetje të ekonomive të tyre sikurse rasti polak, sllovak, rumun etj. Bujqësia shqiptare nuk i bën ndonjë hije bujqësisë së vendeve europiane. Pra, tregu evropian do të përfitonte nga avantazhet e hapësirave të tregut shqiptar pa qenë i shqetësuar se do të konkurrohej prej tij në ndonjë pikë. Premtimet parashikuese janë që nëntoka shqiptare ka naftë.

- A ka probleme ekonomia shqiptare për sa u përket arritjeve të standardeve europiane? Patjetër ka. Por, nuk e vë dot njeri në dyshim se është një shoqëri e ekonomisë së tregut të lirë, se ka një shtet të ndërtuar me norma demokratike, se pavarësisht problemeve, duhet ditur se problemet e marrëdhënieve mes pushteteve të ndryshme ekzistojnë gjithkund edhe në vetë vendet e përparuara europiane. Nuk besohet se niveli i kriminalitetit, i korrupsionit, i dhunës familjare, i vdekshmërisë foshnjore, i divorceve, i jetëgjatësisë mesatare janë në tregues mesatarisht më të këqij se ta zëmë në vende të tjera të futura në vitet e fundit në Bashkimin Evropian. Të mos përmend emra vendesh, se nuk është mirë, por statistikat e tyre nuk tregojnë se janë në ndonjë nivel më të lartë se Shqipëria, sigurisht duke e matur në shkallë treguesish relativë, jo absolutë.

Tani ne vijmë te një pyetje tjetër po aq e rëndësishme: Çfarë mund ta vonojë Shqipërinë në këtë proces? Nga arsyet e rrethanat më kryesore janë:

- Ka një opinion të përgjithshëm në elitat europiane sipas të cilit pasi Bashkimi Evropian njohu një proces zgjerimi hapësinor, tani e ka radhën një thellim institucional i parametrave të këtij Bashkimi. Nuk është vendi këtu të them se çfarë mendoj unë për këtë arsyetim, por ai është tashmë një fakt. Nëse ky opinion mbetet mbizotërues, kjo do ta frenonte pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do ta ngadalësonte paksa procesin, hapat e tij do të ishin më të ngadalta. Por, kjo nuk ka të bëjë as me Shqipërinë, as me politikat e qeverisë shqiptare, pra është një faktor i jashtëm. Kjo nuk pengon kandidimin, por mund të vonojë atë që vjen më pas, hapat e integrimit të plotë. Megjithatë, as kësaj nuk i dihet. Nuk ka nevojë për autocensurë. Shqipëria nuk ka nevojë të vihet në pozitën e atyre që e pranojnë ose jo. Ata janë të tjerë. Vendi ynë ka për detyrë të paraqesë kandidaturën e vet. Të tjerë e vlerësojnë. Nuk ka nevojë për ndrojtje dhe timiditet politik. Nuk mund të sillemi si një vajzë e dikurshme nga fshati që hap derën e lokalit ku ka vetëm burra dhe sheh me sy të trembur nëse ata që janë brenda do ta pranojnë ose jo. E kështu në turp e sipër, e tërheq derën e largohet kokulur me idenë mazokiste që nuk e meritonte të ishte brenda në lokal.

- Kam frikë se aktorët kryesorë në vendimmarrje në Bashkimin Evropian e shohin zonën tonë jo si të ndarë në shtete kandidate, por si një rajon që ndofta do ta pranojnë të gjithë pothuajse njëherësh në hapësirat dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Pa dyshim që Shqipëria është më përpara dhe më e favorizuar se vendet e tjera të Ballkanit për të qenë në krye të këtij procesi. Nuk ka probleme të brendshme strukturore e as pengesa e “grindje” me fqinjët, as probleme të mbetura hapur. Por, sa do të munden Bosnja, Serbia, Maqedonia të përparojnë në këtë drejtim – kjo mbetet për t’u parë. Vonesat e tyre mund të kenë impakt edhe në qëndrimin evropian ndaj Shqipërisë. Mund t’i krijohen vështirësi artificiale, në mënyrë që të jetë në një rresht me fqinjët e saj. Kjo do të ishte fatkeqe për ne. Por, fundja nuk është ndonjë gjë që na dëmton krejtësisht.

- Edhe kriza financiare, ndonëse nuk është një faktor i vërtetë pengues, përsëri i ka rrudhur disi buxhetet europiane për të ndihmuar e mbështetur proceset e zgjerimit të Evropës në Ballkan. Në Evropë ka vende që nën presionin e ndonjë grupimi politik euroskeptik, pretendon që këto buxhete të përdoren për veten e tyre, për shtetet e ardhura rishtazi atje, dhe jo për vendet e tjera që duan të kandidojnë.

Probleme të vërteta shqiptare që pengojnë kandidimin e Shqipërisë nuk ka.

Pyetja e fundit që do të shtroja është si më poshtë: Çfarë fiton shqiptari i thjeshtë nga procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian? E bëj këtë pyetje se nganjëherë duket sikur publikun shqiptar e ka zënë gjumi dhe ëndrra europiane i duket kaq e largët dhe kaq abstrakte sa i duket sikur i lidhet vetëm me marrjen e ndonjë vize për të shëtitur ca ditë jashtë shtetit. Edhe një pjesë e shtypit e redukton gabimisht ndonjëherë këtu këtë poçes, mbetur peng, si ca tipa intelektualë, që u duket se jemi akoma në fillim të viteve ’90 kur shqiptari bridhte si lypsar nëpër brigjet europiane cip mbi cip, si kaladibrançe mbi anijet e ndryshkura të flotës tregtare shqiptare të asaj kohe. Ato janë imazhe artificiale që nuk kanë lidhje me të sotmen, por inercia e tyre bllokon mendimin politik dhe mediatik të një pjese të opinionit publik shqiptar. Nuk është fare aty çështja. Po numëroj disa të mira të menjëhershme që konstatohen edhe nga një njeri jo specialist në këtë fushë si puna ime:

- Përmirësim i menjëhershëm i statusit profesional, juridik dhe kulturor të qindra mijë emigrantëve shqiptarë në Perëndim.

- Mundësi kontaktesh të shqiptarëve me Perëndimin dhe hapje e pistave për punësim të gjerë në zonat ndërkufitare apo edhe në rajonet e vendeve fqinje.

- Mundësi lirish për produktet shqiptare që eksportohen në Evropë. Produktet europiane edhe kështu e kanë përmbytur tregun shqiptar, pra nuk humbim gjë, kurse eksportet tona sot gjejnë vështirësi. Pra, ekonomia shqiptare do të marrë frymë lirisht.

- Subvencione europiane në të gjitha fushat si edhe lehtësira financimi për të gjitha sipërmarrjet shqiptare. Një dinamikë e paparë fshihet aty.

- Presione politike europiane mbi klasën politike shqiptare që të përmirësojë gjendjen dramatike të spitaleve, shkollave, të arsimit të lartë, të administratës etj. Kjo klasë politike më në fund do ta shohë realisht si funksionon Evropa, realisht, me hallet e saj, pse jo mund të ketë, ëndërrohet, edhe për një komisioner shqiptar në Bruksel, ta zëmë për tolerancën fetare dhe komunikimin ndërkulturor. I takon. Irlandezët ndofta kanë një mijë arsye të mos e votojnë projektin e përmbledhur kushtetues të Lisbonës, kurse shqiptarët nga ana e tyre, kanë një mijë arsye të tjera që ta votojnë atë, nëse një ditë do të ishin qytetarë evropianë.

3. Bllokimi i buxheteve të bashkive ka hapur një front tjetër në përplasjet e politikës shqiptare. Pas Tiranës edhe Durrësi është përfshirë nga kriza e buxhetit. Cilat mendoni se janë arsyet e kësaj dukurie? Po pasojat?

Nuk shoh asnjë lloj krize këtu. Kjo është gjendja normale e funksionimit të demokracisë. Ka luftë politike në instancat komunale të përfaqësimit politik të qytetarëve. Opozita voton kundër buxhetit në Parlament, përgatitur dhe propozuar nga shumica. Normale. Po aq normale mbetet edhe kur opozita lokale voton kundër shumicës lokale në këshillat bashkiake përkatëse. Bile unë do të uroja që të bllokoheshin kështu ca kohë të gjitha buxhetet e bashkive anembanë Shqipërisë, me qëllim që nëpërmjet këtyre debateve dhe bllokimeve, pushtetarëve lokalë, të të gjitha ngjyrave, t’u rridhte djersa çurkë nga sikleti dhe nga përgjegjësia për të korrigjuar buxhetet në fjalë, për të qenë konsensualë, për të marrë parasysh vërejtjet e opozitarëve, cilëtdo të ishin këta, dhe sidomos që të gjitha lakrat, nëse ka të tilla, nëpërmjet grindjes politike, debatit, sherreve politike, të dilnin në dritë të diellit, pra në sytë e qytetarëve. Të dalin në dritë nëse ka korrupsione të fshehta të gjithanshme, të dalin ata që përfitojnë padrejtësisht nga këto buxhete, dezekuilibrat e mundshëm, keqpërdorimet, elektoralizmat klienteliste. A ka mundësi që nga kjo luftë politike, që mbase bëhet edhe për interesa personale (çfarë rëndësie ka?) të bllokohet derisa të qartësohet e të vihet në vijë edhe buxheti i komunës më të humbur të fshatit më të humbur të Shqipërisë? Do të ishte shumë mirë. E pasi t’i zgjidhnim problemet të bënim një manifestim për nder të demokracisë së vërtetë lokale. Kjo është pasoja për të cilën më pyesni ju. Sa më shumë e tensionuar klima politike, aq më shumë liri politike për qytetarin. Ky është mekanizmi i zgjerimit të demokracisë. Ku është kriza këtu, ju lutem, se nuk e shoh? A keni parë ndonjëherë debate në këshillat komunalë të ndonjë krahine të Evropës? Shahen me “nënë e me babë”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›