Uzurpimi i mjedisit, vendorët nisin aksionin e zhbllokimit
Mbrojtja, zhvillimi i territoreve dhe hapësirave publike merr një rëndësi të veçantë, në kushtet kur i gjithë komuniteti duhet të angazhohet duke i bërë apel përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë qytetare, në funksion të miradministrimit të territorit tonë të përbashkët. Nisur nga ky fakt, Bashkia e Tiranës ka intensifikuar së fundmi masat dhe aksionet për lirimin e hapësirave publike, nga zëniet abuzive, gardhet, zinxhirët, pengesat e ndryshme apo kunjat metalike, të cilat jo në pak raste janë kthyer në një shqetësim për qytetarët dhe vetë komunitetin. Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Urban, Hantin Bonati, në një deklaratë publike, në zonën pranë Rrugës së Kavajës, ka sqaruar mbi mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe në lidhje me ndërhyrjet që kjo drejtori, në bashkëpunim me struktura të tjera përgjegjëse pranë Bashkisë së Tiranës, kanë ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike, me qëllim mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj mjediseve të përbashkëta. Kjo nismë do të zhvillohet në vazhdimësi, përmes ndërhyrjeve të koordinuara dhe synon të shtrihet në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës, kryesisht në blloqet e banimit, duke kërkuar njëkohësisht bashkëpunimin, ndërgjegjësimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve, si faktorë të domosdoshëm në ecurinë e masave të tilla. Bashkia e Tiranës ka falënderuar dje të gjithë personat dhe subjektet që kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë vullnetare e grupeve të punës të ngritura për këtë qëllim. Por vendorët kërkojnë të sensibilizojë të gjithë kryeqytetasit për të mbështetur punën e bashkisë në ndërmarrjen e aksioneve të tilla, duke e konsideruar këtë si një detyrim moral dhe përgjegjësi qytetare, drejt garantimit të një cilësie më të lartë jetese dhe mirëqenies sonë të përbashkët.
#