V E N D I M PËR DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2008-2009
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E BURSAVE PËR NXËNËSIT E SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “PETER MAHRINGER”, SHKODËR, PËR VITIN SHKOLLOR 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, të ndryshuar, të ligjit nr.9522, datë 25.4.2006, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës”, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës të japë 60 (gjashtëdhjetë) bursa studimi, nga të cilat 30 (tridhjetë) bursa, për nxënësit e viteve të para, dhe 30 (tridhjetë) bursa, për nxënësit e viteve të dyta, të shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, Shkodër, për vitin shkollor 2008-2009.
2. Masa e bursës të jetë 680 euro për nxënës në vit, për shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe mbulimin e kostos për tekstet mësimore.
3. Buxheti për mbulimin e këtyre bursave t’i kalojë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës drejtorisë arsimore rajonale, Shkodër.
4. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i fondacionit shkollor austriak, në mbështetje të kritereve ekonomike dhe të rezultateve të arritura nga secili nxënës/aplikant.
5. Bordi i fondacionit shkollor austriak, pas miratimit të bursave, e dërgon dokumentacionin përkatës në drejtorinë arsimore rajonale, Shkodër, e cila, pas konfirmimit të nxënësve, që përfitojnë bursë, e kalon masën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I