V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË SAKTË, NË PËRQINDJE, TË RENTËS SË PASURISË MINERARE, SIPAS VLERËS SË TREGUT, PËR ÇDO MINERAL APO GRUP MINERALESH
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E VLERËS SË SAKTË, NË PËRQINDJE, TË RENTËS SË PASURISË MINERARE, SIPAS VLERËS SË TREGUT, PËR ÇDO MINERAL APO GRUP MINERALESH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare” , me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Vlera e saktë, në përqindje, e rentës së pasurisë minerare, sipas vlerës së tregut, për çdo mineral apo grup mineralesh, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, 15- ditëshin e parë të muajit shkurt, të çdo viti.
2. Sipas përcaktimeve të bëra në shtojcën nr.2, të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008, vlera e saktë, në përqindje, e rentës së pasurisë minerare, sipas vlerës së tregut, për çdo mineral apo grup mineralesh, për vitin 2008, është sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Kur prodhuesi i mineralit e përdor atë për të prodhuar koncentrat apo prodhime metalurgjike ose nënprodukte të naftës, ai e paguan rentën e pasurisë minerare, në bazë të vlerës së mineralit të futur në koston e produkteve përfundimtare (koncentratit apo prodhimeve metalurgjike apo nënprodukte të naftës). Sasia dhe kostoja e mineralit/naftës, të përdorur, deklarohen nga përdoruesi dhe miratohen nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), sipas një udhëzimi, të miratuar nga ministri përkatës.
4. Në rastin e eksportit të koncentrateve apo të prodhimeve metalurgjike a nënprodukteve të naftës, që kanë në bazë përdorimin e mineraleve dhe të naftës, eksportuesi duhet t’i paraqesë autoriteteve doganore dokumentin, që vërteton origjinën e mineralit, të përdorur për prodhimin e tyre.
5. Në rastin e shitjes së pasurisë minerare, për konsum final në tregun e brendshëm, renta minerare paguhet pranë organeve tatimore. Në rastin e eksportit të produkteve minerare, renta minerare paguhet në degët doganore.
6. Në rast se organet, tatimore dhe doganore, vërejnë se çmimet e deklaruara të shitjes së produkteve minerare janë më të ulëta se çmimet e tregut, këto organe duhet t’i referohen dosjes me të dhënat e disponueshme për vlerën e eksporteve minerare, për përcaktimin e vlerës së shitjes së produkteve minerare, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 7, të këtij vendimi.
7. Si burim informacioni për krijimin e dosjes me të dhënat e disponueshme për vlerën e eksporteve minerare shërbejnë burime të tilla si çmimet e tregjeve ndërkombëtare, të dhënat statistikore të Agjencisë së Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, investigimi i tregut, brenda dhe jashtë vendit, kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, çmimet e produkteve minerare, të ngjashme, që eksportohen, çmimet e paraqitura në deklaratën e eksportit, për subjektet e tjera, që veprojnë në të njëjtën industri.
8. Përcaktimi sipas pikës 7, të këtij vendimi, bëhet nga një komision, i përbërë nga specialistë, me përvojë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të cilët caktohen nga ministrat përkatës.
9. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA