V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.426, DATË 9.7.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË SHËRBIMIT TË VARRIMIT PËR SHTETASIT SHQIPTARË, QË VDESIN BRENDA DHE JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.426, DATË 9.7.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË SHËRBIMIT TË VARRIMIT PËR SHTETASIT SHQIPTARË, QË VDESIN BRENDA DHE JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 55, të ligjit nr.8950, datë 10.10.2002, “Për gjendjen civile”, dhe të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.426, datë 9.7.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për çdo rast vdekjeje jepet një ndihmë financiare nga buxheti i shtetit, për përballimin, nga familja, të shpenzimeve të varrimit, në masën e përcaktuar më poshtë, sipas vendbanimeve përkatëse:
- Për bashkinë e Tiranës, në masën 10 000 lekë;
- Për bashkitë e tjera, në masën 8 500 lekë;
- Për komunat, në masën 5 000 lekë.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet drejtorive rajonale dhe agjencive të sigurimeve shoqërore, kryen pagesën e kësaj ndihme, në bazë të certifikatës së vdekjes, të lëshuar nga zyrat e gjendjes civile të njësive përkatëse të qeverisjes vendore (komuna ose bashkia), dhe të kërkesës së paraqitur nga familjarët e personit të vdekur.
Në buxhetin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në programin e sigurimeve shoqërore, planifikohen, çdo vit, fonde për përballimin e shpenzimeve, që lidhen me dhënien e ndihmës, në raste vdekjeje, si transfertë nga buxheti i shtetit.”.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore të përgatisin udhëzimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar, të vitit 2008.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA