E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Numri i bizneseve të vogla të regjistruara është rritur me 25 për qind

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se, pas kalimit në qeverisjen vendore, numri i bizneseve të vogla të regjistruara është rritur me 25 për qind.

“Kjo do të thotë se është ulur me 25 për qind informaliteti. Ky është efekti i mrekullueshëm i decentralizimit. Janë 25 për qind e sipërmarrjeve të vogla që notonin në kënetë. Qeverisjet vendore të vazhdojnë me këmbëngulje, sepse kjo vlerë duhet të arrijë të paktën në 35 për qind,” u shpreh Kryeministri gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratuan disa vendime për transferimin e pronave të paluajtshme njësive të qeverisjes vendore.

Kryeministri Berisha përgëzoi Ministrinë e Brendshme për përgatitjen e këtyre vendimeve, duke kërkuar përshpejtimin e këtij procesi. “Duhet të bëjmë çdo përpjekje për decentralizimin, pasi në këtë mënyrë, e bëjmë vendin më transparent, më demokratik dhe më formal,” u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›