V E N D I M PER TRANSFERIMIN E PAKETËS SË AKSIONEVE TË ZOTËRUARA NGA SHTETI NË “ALBTELECOM”, SHA-NË, TIRANË
V E N D I M
PER
TRANSFERIMIN E PAKETËS SË AKSIONEVE TË ZOTËRUARA NGA SHTETI NË “ALBTELECOM”, SHA-NË, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9 e 13, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, dhe të neneve 1 e 2, pika 4, të ligjit nr.8810, datë 17.5.2001, “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Albtelecom””, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin e paketës së aksioneve të zotëruara nga shteti, prej 16.7683661 përqindësh, te “Albtelecom”, sha-
ja, Tiranë, nëpërmjet ankandit.
2. Ky transferim të realizohet me asistencën e një shoqërie këshilluese ndërkombëtare.
3. Shpenzimet, në vlerën 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes së konsulentit, për shërbimet, që do të kryejë konsulenti, si dhe për shpenzime të tjera, të nevojshme për realizimin e transferimit të paketës, të mbulohen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deri në përfundim të procesit të shitjes.
4. Pas përfundimit të procesit të shitjes, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës t’i rimbursohen shpenzimet e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, nga të ardhurat e realizuara nga shitja e paketës së aksioneve shtetërore, sipas raportit financiar, të paraqitur nga kjo ministri.
5. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K r y e m i n i s t r i
SALI BERISHA
11/02/2009