V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1140, DATË 30.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË LUFTËS KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIQEVE DHE TERRORIZMIT”
V E N D I M
PëR
DISA NDRYSHIME Në VENDIMIN NR.1140, DATë 30.7.2008, Të KëSHILLIT Të MINISTRAVE, “PëR MIRATIMIN E STRATEGJISë NDëRSEKTORIALE Të LUFTëS KUNDëR KRIMIT Të ORGANIZUAR, TRAFIQEVE DHE TERRORIZMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në “Strategjinë ndërsektoriale të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizimi”, që i bashkëlidhet vendimit nr.1140, datë 30.7.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në kreun II, paragrafi “- Ligji nr.9284, datë 30.9.2004, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar’”, ndryshohet dhe zëvendësohet me “- Ligji nr.10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;
2. Në kreun II, paragrafi “- Ligji nr.8610, datë 17.5.2000, “Për parandalimin e pastrimit të parave”, i ndryshuar me ligjin nr.9804, datë 19.6.2003”, ndryshohet dhe zëvendësohet me “- Ligji nr.9917, datë 19.5.2008,“Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”;
3. Paragrafi i dytë, i nënndarjes VI.2, “Monitorimi”, të kreut VI, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për monitorimin e kësaj strategjie dhe për bashkërendimin e veprimtarive të institucioneve të parashikuara në këtë strategji ngrihet Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizmit. Ky komitet kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Brendshëm, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Financave, ministrin e Drejtësisë dhe drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në mbledhjet e këtij komiteti ftohet të marrë pjesë Prokurori i Përgjithshëm. Në varësi të problematikës, kryesisht, apo me propozim të njërit prej anëtarëve, Kryeministri fton edhe përfaqësues të institucioneve të tjera, të përmendura në këtë strategji. Pranë Komitetit ngrihet sekretariati teknik. Kryetari i Komitetit miraton rregulloren e tij. Komiteti mblidhet çdo tre muaj.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
27/01/2010