V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1638, DATË 17.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PËR PROCEDURËN E SHITJES” &n
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1638, DATË 17.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PËR PROCEDURËN E SHITJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 3, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.1638, datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime :
1. Në fund të pikës 6, të kapitullit I, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje :
“Komisioni i vlerësimit, në këtë rast, kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike, në prefekturën, ku ndodhet objekti, dhe përbëhet nga ekspertë vlerësues, të licencuar sipas nevojave të procesit të vlerësimit.”.
2. Në pikën 3, të kapitullit II, pas fjalëve “...që do të privatizohet...” shtohen “...ose do të përfshihen në fondin e kompensimit...”.
3. Pika 4, e kapitullit II, ndryshohet , si më poshtë vijon:
“4. Komisioni i vlerësimit, pas marrjes së dokumentacionit, i drejton institucionit të prefektit, në territorin e të cilit ndodhet objekti, kërkesën për konfirmim të genplanit, të përgatitur nga ky komision.”.
4. Pika 5, e kapitullit II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Institucioni i prefektit konfirmon genplanin e objektit për privatizim në 5 kopje origjinale, duke e nënshkruar dhe vulosur atë, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës dhe më pas ia përcjell degës së shoqërive publike.”.
5. Pas pikës 13, të kapitullit II, shtohen pikat 14 e 15, me këtë përmbajtje :
“14. Ekspertët vlerësues të pasurive të paluajtshme hartojnë genplanin përkatës të shoqërive aksionare dhe shoqërive me kapital të përbashkët, të cilat janë në proces vlerësimi për privatizim, kur del i nevojshëm hartimi i një genplani të ri, i ndryshëm nga ai i çastit të themelimit të shoqërisë.
15. Shoqëria ia dërgon institucionit të prefektit, ku ka vendndodhjen shoqëria, kërkesën për konfirmim të genplanit, të hartuar nga ekspertët vlerësues përkatës. Institucioni i prefektit, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, konfirmon genplanin e shoqërisë në 5 kopje origjinale, duke e nënshkruar dhe vulosur atë dhe më pas ia përcjell shoqërisë.”.
6. Në fund të shkronjës “a”, të pikës 3, të kapitullit III, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Dokumentacioni për dhënien e së drejtës së parablerjes për objektin, që privatizohet, për çdo rast, shqyrtohet e konfirmohet me procesverbal të veçantë dhe miratohet nga komisioni i ngritur nga drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes të Pronës Publike.”.
7. Pika 14, e kapitullit III, ndryshohet, si më poshtë vijon :
“14. Kur sipërfaqja e tokës, pronë e subjektit të shpronësuar, shtrihet në mbi 70 % të sipërfaqes së truallit nën objekt, për objektin, që privatizohet, e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin, nëse pjesa tjetër nuk ka pronarë, në të kundërt, pavarësisht se një pronar apo më shumë bashkëpronarë zotërojnë mbi 70% të sipërfaqes së objektit dhe pjesa tjetër ka pronarë trualli të identifikuar, objekti privatizohet vetëm në bashkëpronësi, me marrëveshje të dokumentuar. Në qoftë se nuk arrihet marrëveshja ndërmjet bashkëpronarëve brenda një afati 30-ditor nga përfundimi i publikimit me afishe, objekti u nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët kompensohen.
Në rastet e shpalljes fitues, të ankandit, që zhvillohet për shitjen e objektit të njërit prej ish-pronarëve të truallit, në pagesën e vlerës së truallit zbritet vlera e truallit, që i përket pjesës së tij, e njohur apo e kthyer, me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit.
Për rastet kur, për objektin, që privatizohet, ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët kanë një marrëveshje të dokumentuar dhe gëzojnë të drejtën e parablerjes, por një pjesë e truallit, sipas genplanit të privatizimit, nuk bie në pronën e ish-pronarëve dhe rezulton e pazënë me objekt të konfirmuar shtetëror, veprohet, si më poshtë vijon :
- Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike ua ofron për blerje bashkëpronarëve, që gëzojnë të drejtën e parablerjes së objekteve.
- Në rast se ish-pronarët shprehen me shkrim se nuk janë dakord ta blejnë këtë sipërfaqe trualli, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, i dërgon një shkresë, të shoqëruar me kopje të genplanit, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për përdorimin e kësaj sipërfaqeje për fond kompensimi për ish-pronarët, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.”.
8. Paragrafi i parë, i pikës 26, të kapitullit III, ndryshohet, si më poshtë vijon :
“Brenda 30 ditëve nga data e zhvillimit të ankandit, blerësi është i detyruar të bëjë pagesën, vetëm me lekë, të pjesës së mbetur, sipas çmimit të arritur në ankand, për objektin dhe truallin.”.
9. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
01/07/2009