V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1712, DATË 24.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN ME QIRA OSE ENFITEOZË TË PASURIVE SHTETËRORE”
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1712, DATË 24.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN ME QIRA OSE ENFITEOZË TË PASURIVE SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.1712, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime :
1. Pas shkronjës “ç”, të pikës 5, të kreut I, “Pasuritë shtetërore, që jepen me qira ose enfiteozë, kriteret e konkurrimit, e drejta, kompetencat dhe afatet”, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje :
“d) Dhënia me qira e objekteve shtetërore, për ndërmarrjet, shoqëritë tregtare apo institucionet shtetërore.”.
2. Në fund të shkronjës “a”, të pikës 6, të kreut I, “Pasuritë shtetërore, që jepen me qira ose enfiteozë, kriteret e konkurrimit, e drejta, kompetencat dhe afatet”, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Ndërmarrjeve, shoqërive apo institucioneve shtetërore u ndalohet të japin me qira truall të lirë, deri në 200 (dyqind) m2. Për dhënien me qira mbi 1 vit, por jo më shumë se 5 vjet, ndërmarrja, shoqëria apo institucioni shtetëror merr miratimin e organit të varësisë administrative.”.
3. Shkronja “ç”, e pikës 1, të kreut II, “Procedurat e dhënies me qira ose enfiteozë të pasurisë shtetërore”, ndryshohet, si më poshtë vijon :
“ ç) Genplanin e objektit, ku të jetë shënuar sipërfaqja e truallit, gjithsej, sipërfaqja e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqja e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të konfirmuar nga prefektura, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, dhe nga drejtori i ndërmarrjes, shoqërisë apo institucionit shtetëror.”.
4. Pika 2, e kreut III, “Përcaktimi i tarifës dysheme për pasuritë shtetërore, që jepen me qira ose enfiteozë”, ndryshohet, si më poshtë vijon :
“2. Për makineritë, pajisjet, linjat teknologjike, galeritë minerare, etj., vlera e qirasë vjetore llogaritet sipas VAM-it (vlerës aktuale minimale), të llogaritur si vlera fillestare e kontabilizuar, duke zbritur amortizimin në vite mbështetur në vendimin nr.401, datë 23.10.1989, të Këshillit të Ministrave, shumëzuar me indeksin e muajit përkatës, të publikuar nga INSTAT-i. Në rastin kur makineritë, pajisjet, linjat teknologjike e galeritë minerare janë të amortizuara, llogaritja e qirasë vjetore të bëhet sipas VAM-it, të përcaktuar nga eksperti vlerësues dhe të miratuar nga komisioni vlerësues i ndërmarrjeve, pjesëtuar me 10.”.
5. Në fund të pikës 4, të kreut VII, “Vlefshmëria e kontratave”, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje :
“Në rast se objektet e dhëna me qira ose enfiteozë janë pjesë e kapitalit të shoqërive shtetërore, ato zbriten nga kapitali i këtyre shoqërive.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
01/07/2009