V E N D I M PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.862, DATË 20.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “OPERATORI I SISTEMIT TË SHPËRNDARJES”, SHA”
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.862, DATË 20.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “OPERATORI I SISTEMIT TË SHPËRNDARJES”, SHA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992, “Për shoqëritë tregtare”, dhe të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.862, datë 20.12.2006, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto shtesa:
1. Në fund të pikës 5 shtohen:
“... me përjashtim të pjesës së detyrimeve, që lidhen me huatë/kreditë afatgjata nga donatorët e huaj, që janë, disbursuar dhe materializuar, dhe që do të materializohen në të ardhmen si pjesë e aseteve të OSSH, sha-së, në kuadër dhe në zbatim të projekteve e të marrëveshjeve përkatëse me kreditorët e huaj, sipas të cilave KESH, sha-ja, do të mbetet në rolin e kredimarrësit ose të nënkredimarrësit, kur kredimarrës është qeveria.”.
2. Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1 e 5/2, me këtë përmbajtje:
“5/1. Asetet në administrim të KESH, sha-së, që i kalojnë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sha, të regjistrohen në pronësi të këtij operatori.
5/2. Pronësia e aksioneve të OSSH, sha-së, transferohet nga KESH, sha-ja, te Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
AKT NORMATIV
PËR
DËRGIMIN NË BOSNJË- HERCEGOVINË TË NJË GRUPI TË ASGJËSIMIT TË MUNICIONEVE DHE EKSPLOZIVËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËR TË MARRË PJESË NË OPERACIONIN “ALTHEA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN
Në mbështetje të neneve 12, pika 3, dhe 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Dërgimin në Bosnjë- Hercegovinë, si kontribut i Republikës së Shqipërisë, të një grupi të asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve (AME), të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për të marrë pjesë në operacionin “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian, në zbatim të rezolutës nr.1551, datë 9.7.2004, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Neni 2
Ushtarakët, që do të marrin pjesë në operacionin “ALTHEA”, për ditët e qëndrimit në këtë operacion, veç pagës mujore marrin, për vështirësi shërbimi, edhe një shpërblim ditor, në masën, që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 3
Ligji nr.9315, datë 11.11.2004, “Për dërgimin e kompanisë paqeruajtëse shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë, për të marrë pjesë në operacionin “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian”, shfuqizohet.
Neni 4
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA