V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, TË DYTË DHE “MASTER I NIVELIT TË PAR˔, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “KRISTAL”
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, TË CIKLIT TË PARË, TË DYTË DHE “MASTER I NIVELIT TË PARË”, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “KRISTAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e shkollës së lartë universitare, private, “Kristal”, Tiranë, për hapjen e programeve të studimit të ciklit të parë, në formën e studimeve me kohë të plotë, në fushat:
a) Shëndet publik;
b) Laborant mjekësor;
c) Sociologji.
2. Kohëzgjatja e programeve të studimit të ciklit të parë të jetë 3 vite akademike. Në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diploma e nivelit të parë (DNP), në :
a) “Shëndet publik”;
b) “Laborant mjekësor”;
c) “Sociologji”.
3. Lejimin e shkollës së lartë universitare, private, “Kristal”, Tiranë, për hapjen e programeve të studimit të ciklit të dytë, në formën e studimeve me kohë të plotë, në fushat:
a) E drejtë civile;
b) Marrëdhënie ndërkombëtare.
4. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit të ciklit të dytë të jetë 2 vite akademike, me plotësimin, së paku, të 120 krediteve. Në përfundim të këtyre programe të studimit lëshohet, përkatësisht, diplomë e nivelit të dytë (DND), në :
a) “E drejtë civile”.
b) “Marrëdhënie ndërkombëtare”.
5. Ngarkohet shkolla e lartë universitare, private, “Kristal”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, me kualifikimin e nevojshëm.
6. Lejimin e shkollës së lartë universitare, private, “Kristal”, Tiranë, për hapjen e programit të studimit “Master i nivelit të parë”, në:
a) Shëndet publik dhe menaxhim spitalor.
7. Programi i studimit “Master i nivelit të pare” është pjesë e studimeve të ciklit të dytë, me, së paku, plotëismin e 60 krediteve. Në mbarim të programit të studimit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë (MNP), në “Shëndet publik dhe menaxhim spitalor”.
8. Shkolla e lartë universitare, private, “Kristal”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikat 1, 3 e 6, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë lejen përkatëse nga ministri ³ Arsimit dhe Shkencës, por jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.
9. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
10. Shkolla e lartë universitare, private, “Kristal”, duhet t’u nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
11. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
28/05/2009