E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË RI TË STUDIMIT, “MASTER I NIVELIT TË DYT˔, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “JUSTINIANI I”

V E N D I M

PËR 

HAPJEN E PROGRAMIT TË RI TË STUDIMIT, “MASTER I NIVELIT TË DYTË”, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE PRIVATE, “JUSTINIANI  I”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 2, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Lejimin e shkollës së lartë universitare private, “Justiniani  I”, me seli në Tiranë, për hapjen e programit të studimit “Master i nivelit të dytë” në shkencat juridiko-penale.

2.     Programi i studimit “Master i nivelit të dytë” do të jetë program studimi i ciklit të tretë, në plotësimin e të paktën 60 krediteve. Në  përfundim të programit të studimit do të lëshohet diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, (MND), në shkenca juridiko-penale.

3.     Ngarkohet shkolla e lartë universitare private, “Justiniani I”, që, për programin e studimit, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, nga një personel akademik, me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialitetit.

4.     Shkolla e lartë universitare private, “Justiniani I”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programin e studimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.

Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.

5.     Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

6.     Shkolla e lartë universitare private, “Justiniani I”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të këtij programi studimi, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.

7.     Shkolla e lartë universitare private “Justiniani I”, pas marrjes së lejes përkatëse për programet e ciklit të tretë, nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, strukturohet si universitet.

8.     Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA


28/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›