V E N D I M PËR KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS MINISTRISË SË PUNËVE PUBLIKE, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT, PËR ENTIN KOMBËTAR TË BANESAVE, TË OBJEKTEVE TË ISH-QYTETIT TË NXËNËSVE, PRANË SHKOLLËS S
V E N D I M
PËR
KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS MINISTRISË SË PUNËVE PUBLIKE, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT, PËR ENTIN KOMBËTAR TË BANESAVE, TË OBJEKTEVE TË ISH-QYTETIT TË NXËNËSVE, PRANË SHKOLLËS SË MESME TEKNOLOGJIKE, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, 10, 11 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale, për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për Entin Kombëtar të Banesave, të objekteve të ish-qytetit të nxënësve, pranë Shkollës së Mesme Teknologjike, Tiranë, (ish-shkolla e mesme bujqësore, ish-konvikti i ndërtimit, ish-shkolla e ulët e ndërtimit), sipas formularit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për privatizimin e tyre, në favor të banorëve të pastrehë, të cilët banojnë në këto ndërtesa.
2. Ngarkohet Enti Kombëtar i Banesave të lidhë kontratat e privatizimit me banorët e pastrehë, të përfshirë në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas kushteve të privatizimit, të përcaktuara me udhëzim të veçantë të ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
3. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Arsimit dhe Shkencës, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe Enti Kombëtar i Banesave të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
18/06/2009