V E N D I M PËR KALIMIN NË PRONËSI, NGA “ALBPETROL”, SHA-JA, BASHKISË PATOS, TË NDËRTESËS SË ISH-INSTITUTIT TEKNOLOGJIK TË NAFTËS DHE GAZIT (ITNG) DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.813, DATË 29.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LI
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA “ALBPETROL”, SHA-JA, BASHKISË PATOS, TË NDËRTESËS SË ISH-INSTITUTIT TEKNOLOGJIK TË NAFTËS DHE GAZIT (ITNG) DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.813, DATË 29.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË BASHKINË PATOS, TË QARKUT TË FIERIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga “Albpetrol”, sha-ja, bashkisë Patos, të ndërtesës së ish-Institutit Teknologjik të Naftës dhe Gazit (ITNG), me vendndodhje në qytetin e Patosit, sipas genplanit dhe fletinventarit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Në listën, që i bashkëlidhet vendimit nr.813, datë 29.11.2007, të Këshillit të Ministrave, pas numrit 210 shtohet numri 211, me këtë emërtim “Ndërtesa e ish-Institutit Teknologjik të Naftës e Gazit (ITNG), me vendndodhje në Patos.”.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “Albpetrol”, sha-ja, bashkia Patos dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
08/07/2009