V E N D I M PËR KOMPENSIMIN E PAGESËS PËR PAJISJEN ME LETËRNJOFTIM E SHTRESAVE NË NEVOJË
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN E PAGESËS PËR PAJISJEN ME LETËRNJOFTIM E SHTRESAVE NË NEVOJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shtresave në nevojë t’u kompensohet pagesa për pajisjen me letërnjoftim në shumat, si më poshtë vijon:
a) Në masën 700 (shtatëqind) lekë:
i. Çdo anëtari të familjes, që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç, si dhe të atyre që e mbushin këtë moshë para datës 30 qershor 2009;
ii. Personave me aftësi të kufizuar, të lindur a të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre, që janë mbi 18 vjeç, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar;
iii. Personave, që përfitojnë pagesë papunësie;
iv. Studentëve.
b) Në masën 400 (katërqind) lekë:
i. Të gjithë personave që përfitojnë pension pleqërie, në fshat apo qytet, të plotë ose të pjesshëm, si dhe pension invaliditeti;
ii. Personave në ngarkim të pensionistëve, të cilët janë pa të ardhura.
c) Në masën 200 (dyqind) lekë punonjësve të institucioneve buxhetore, me pagë mujore bruto jo më të madhe se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, si dhe personave në ngarkim të
d) tyre, pa të ardhura.
2. Pagesa e kompensimit është rimbursim i pagesës së bërë dhe të dokumentuar për marrjen e letërnjoftimit dhe kryhet për aplikimet e bëra deri në 30 maj 2009. Pas kësaj date nuk kompensohet asnjë pagesë.
3. Kompensimet jepen, përkatësisht, nga zyrat ku bëhen pagesat për pagat, ndihmën ekonomike, papunësinë dhe pensionet. Për studentët pagesa bëhet nga universitetet, ku ata studiojnë. Pagesa e kompensimit përfituesit bëhet menjëherë me fondet buxhetore, të miratuara në buxhetet e institucioneve përkatëse dhe këto të fundit kërkojnë rimbursimin për pagesat e kryera, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.
4. Pagesa e kompensimit bëhet në mënyrë të menjëhershme, pasi personi përfitues paraqet, në zyrat e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, fotokopje të dokumentit, të dhënë nga zyra e gjendjes civile, pas aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, të shoqëruar me mandatin e pagesës, së bërë nga përfituesi.
5. Në fund të muajit, çdo institucion buxhetor dhe njësi e qeverisjes vendore raporton, përkatësisht, në ministritë/institucionin qendror, nga i cili varet, dhe në Ministrinë e Brendshme listëpagesën e përfituesve të kompensimit të paguar për muajin, së bashku me fotokopjet e mandateve të përfituesve. Ministritë dhe institucionet qendrore, bazuar në këto raporte, bëjnë një kërkesë përmbledhëse për rimbursimin e fondeve të shpenzuara, në Ministrinë e Financave, e cila bën çeljen e menjëhershme të fondeve për ministritë dhe institucionet qendrore. Këto të fundit bëjnë, më tej, rimbursimin për institucionet vartëse dhe njësitë e qeverisjes vendore.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë, të përballohen nga fondi rezervë i vitit 2009.
7. Rregullat e hollësishme dhe mënyrat e pagesës së kompensimit të përcaktohen në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
14/01/2009 Votoni per projektligjin PO: JO: