V E N D I M PËR KRIJIMIN E AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E AGJENCISË SË AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6 e 8, të ligjit nr.9840, datë 10.12.2007, “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komunitetit Evropian, për rregullat e bashkëpunimit të asistencës për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA)”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
4. Krijimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, (që në vijim do të quhet “Agjenci”), si një institucion publik buxhetor, në varësi të ministrit të Financave, i cili është zyrtari përgjegjës akreditues (ZPA).
5. Agjencia ka objektiv të veprimtarisë auditimin dhe kontrollin e zbatimit të programeve të asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian Republikës së Shqipërisë, bazuar në detyrimet ndërkombëtare, që ajo do të ndërmarrë.
6. Në ushtrimin e veprimtarisë Agjencia është:
a) funksionalisht e pavarur nga të gjithë aktorët në sistemin e menaxhimit të decentralizuar të asistencës, së akredituar nga BE-ja, si dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranuara;
b) përgjegjëse për verifikimin dhe funksionimin efikas e të shëndoshë të sistemit të menaxhimit dhe kontrollit të asistencës.
7. Agjencia kryen funksionet e mëposhtme:
a. Harton dhe zbaton planin dhe strategjinë vjetore të verifikimit e auditimit të të gjitha strukturave të ngarkuara dhe të përfshira në sistemin e zbatimit të këtyre programeve. Plani vjetor i punës për auditin u dorëzohet zyrtarit kombëtar të autorizuar (ZKA) dhe Komisionit Evropian para fillimit të vitit ushtrimor.
b. Auditon e verifikon efiçencën e menaxhimit dhe të sistemeve të kontrollit të brendshëm, në strukturat përgjegjëse, për zbatimin e këtyre programeve, për të siguruar shpenzimin e fondeve të akredituara nga Bashkimi Evropian, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
c. Auditon dhe verifikon besueshmërinë e informacionit kontabël, që i dërgohet Komisionit Evropian.
ç) Jep rekomandime për përmirësimin e veprimtarive, që lidhen me zbatimin e këtyre programeve, si dhe monitoron zbatimin e tyre.
d. Bashkëpunon me të gjitha strukturat për zbatimin e këtyre programeve.
dh) Verifkon shkallën e përputhshmërisë së zbatimit të programeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
e. Harton dhe i dorëzon zyrtarit përgjegjës akreditues (ZPA), zyrtarit kombëtar të autorizuar (ZKA) dhe Komisionit të BE-së:
i) Raportin vjetor të veprimtarisë audituese, sipas modelit të paraqitur në aneksin C, të marrëveshjes kuadër, i cili rendit burimet e përdorura për përgatitjen e raportit, si dhe bën një përmbledhje të pikave të dobëta, të konstatuara në sistemin menaxhues dhe kontrollues ose në tansaksione, të cilat janë evidentuar gjatë zbatimit të planit vjetor të punës për auditin, referuar 12 muajve të mëparshëm, dhe që përfundon më 30 shtator të vitit ushtrimor. Ky raport u dorëzohet zyrtarit përgjegjës akreditues (ZPA), zyrtarit kombëtar të autorizuar (ZKA) dhe Komisionit të BE-së, deri më 31 dhjetor të çdo viti.
ii) Një vlerësim vjetor auditimi, sipas modelit të paraqitur në aneksin D, të marrëveshjes kuadër, që tregon nëse sistemet menaxhuese dhe kontrolluese funksionojnë me efikasitet dhe në pajtim me kërkesat e kësaj marrëveshjeje dhe/ose të ndonjë marrëveshjeje tjetër, ndërmjet Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare. Vlerësimi vjetor i auditimit mbulon të njëjtën periudhë dhe ka të njëjtin afat me raportin vjetor të veprimtarisë audituese.
iii) Opinionin e auditimit për çdo deklaratë përfundimtare të shpenzimeve, që i dorëzohet Komisionit Evropian nga ZKA-ja, për mbylljen e programit ose të një pjese të tij. Deklarata përfundimtare e shpenzimeve mund të përfshijë mandatpagesat e kontabilizuara, të çdo viti. Ky opinion vlerëson vlefshmërinë e aplikimit për pagesën përfundimtare dhe besueshmërinë e informacionit financiar. Opinioni i auditimit bëhet sipas modelit të paraqitur në aneksin E, të marrëveshjes kuadër, dhe mund të mbështetet nga raporti përfundimtar i veprimtarisë audituese. Opinioni u dërgohet Komisionit Evropian dhe ZPA-së në të njëjtën kohë ose të paktën brenda tri muajve pas dorëzimit nga ZKA-ja, të deklaratës përfundimtare të shpenzimeve.
ë) Përmbush kërkesa të tjera specifike për planin vjetor të punës për auditin dhe/ose raportin, vlerësimin dhe opinionin, të përmendura më lart, në përputhje me marrëveshjet sektoriale dhe ato financiare.
f. Harton metodologjinë e punës për auditimin e fondeve të akredituara nga Bashkimi Evropian, sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit, si dhe bën vlerësimin e riskut, në veçanti, me dëshmi materiale dhe shembuj. Kjo metodologji mund të plotësohet dhe përmirësohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian.
8. Të drejtat dhe detyrimet në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë ekzekutohen nga zyrtari përgjegjës akreditues, ZPA, pozicion i cili aktualisht mbahet nga ministri i Financave.
9. Mënyra e organizimit të brendshëm, autoriteti, mënyra e vendimmarrjes së strukturave të agjencisë, si dhe çështje të tjera, që lidhen me veprimtarinë e kësaj agjencie, përcaktohen në rregulloren e brendshme të saj, propozuar nga drejtori i Agjencisë dhe miratuar nga zyrtari përgjegjës akreditues (ZPA).
10. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Agjencisë rregullohen në bazë të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, ndërsa pagat e tyre përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi, me vendim të Këshillit të Ministrave.
11. Drejtori i Agjencisë emërohet, lirohet e shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e zyrtarit përgjegjës akreditues, pozicion i cili mbahet, aktualisht, nga ministri i Financave.
12. Drejtori i Agjencisë shkarkohet nga detyra, kur:
a) jep dorëheqjen;
b) emërohet në një detyrë tjetër;
c) humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim gjykate;
ç) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjykate, të
formës së prerë;
d) është i paaftë për kryerjen e detyrës.
10. Pika 11, e vendimit nr.719, datë 18.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve, ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të asistencës së BE-së, në kuadër të Instrumentit të Parazgjerimit (IPA), komponenti I”, shfuqizohet.
11. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
14/10/2009