E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHITJES SË TROJEVE TË NDËRMARRJEVE APO TË OBJEKTEVE SHTETËRORE, TË VEÇUARA, TË PRIVATIZUARA

V E N D I M 

PËR 

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHITJES SË TROJEVE TË NDËRMARRJEVE APO TË OBJEKTEVE SHTETËRORE, TË VEÇUARA, TË PRIVATIZUARA

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, ”Për miratimin e aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, ”Për privatizimin dhe dhënien në përdorim, shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve””, dhe të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.9.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

I. PROCEDURAT E SHITJES SË TRUALLIT TË NDËRMARRJEVE DHE OBJEKTEVE SHTETËRORE, TË PRIVATIZUARA

1. Shitja e truallit të pashitur të ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara, nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të      NB-ve, me degët e saj  në rrethe, dhe nga Ministria e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike), të bëhet në përputhje me këtë vendim, sipas genplanit, që i bashkëlidhet dosjes së privatizimit.

2. Ministria e Financave (Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike) kryen edhe shitjen e trojeve të ndërmarrjeve e objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive.

3. Të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, sipas pikave 1 e 2, të këtij kreu, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë.

4. Pas afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij kreu, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe, në rastet, kur trualli ka pronarë, të njohur me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave, trualli i kalon këtij pronari.

5. Personi, fizik apo juridik, privat, i cili do të blejë truallin e ndërmarrjes ose të objekteve, që kanë privatizuar më parë, sipas përcaktimeve në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, duhet të paraqesë në dy kopje, në Ministrinë e Financave, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, dokumentet e mëposhtme:

-          Kërkesën me shkrim për blerje të truallit;

-          Vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, nëse ka, kartelën e pasurisë etj., për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme, në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës;

-          Fotokopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, DASHPP-ja, dhe nga ndërmarrjet përkatëse, përpara krijimit të agjencive, fotokopje të noterizuar të genplanit apo planimetrisë së objektit (në çastin e privatizimit).

-          Deklaratën noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.

6. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës së mësipërme, për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-AKP-ja dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt, dhe brenda 7 ditëve nga mbërritja e dokumentacionit të privatizimit, nga drejtoritë rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit (DRBUMK), për privatizimet e kryera nga ish-AQRNB-të, i kërkon zyrës rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në qarkun përkatës, dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që të konfirmojnë statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes, të përcaktuar në hartën e çmimeve, në zbatim të vendimit nr.183, datë 23.4.2005, të Kuvendit, dhe hartën treguese, me të dhënat e nevojshme gjeografike për zonën përkatëse, nëse ato janë të përditësuara.

7. Zyra rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme kthejnë përgjigje Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

8. Në rastet kur konfirmohet se trualli i objekteve apo ndërmarrjeve të shitura ka pronarë, të njohur me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave, apo ka pronarë shtetin, atëherë Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kryen shitjen e truallit dhe lidhjen e kontratës.

9. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 7 ditëve nga paraqitja e kërkesës apo paraqitja e dosjes së privatizimit nga DRBUMK-ja u kërkon organeve përkatëse të qeverisjeve vendore apo çdo organi tjetër shtetëror, me të cilin subjektet kanë lidhur kontratë qiraje për truallin, vërtetimin për pagesën e qirasë së truallit, për objektin apo ndërmarrjen, nga subjekti kërkues deri në çastin e pagesës së vlerës së plotë të çmimit të truallit, sipas autorizimit të lëshuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, koeficientin e llogaritjes së bashkëpronësisë së truallit (organi i qeverisjes vendore), për rastet kur objekti është me dy apo më shumë kate, si dhe dërgon dokumentacionin sipas pikës 5, të këtij vendimi.

10. Vlera e qirasë së tokës, e arkëtuar pranë organeve të qeverisjes vendore apo organeve të tjera shtetërore, me të cilat subjektet kanë lidhur kontratë qiraje, ndahet si më poshtë:

-    5 %,  Ministria e Financave;

-  65%, buxheti i shtetit;

-  30%, organi i qeverisjes vendore apo organi shtetëror përkatës.

11. Të ardhurat e arkëtuara nga shitja e truallit do të kalojnë 100 % për buxhetin e shtetit, për efekt të fondit të kompensimit financiar, për subjektet e shpronësuara.

12. Organet e qeverisjes vendore apo organi tjetër shtetëror, brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie vërtetimin, nëse subjekti kërkues ka paguar qiranë e truallit dhe koeficientin e bashkëpronësisë për objektet me dy apo më shumë kate.

Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie hartën treguese përkatëse, me të dhënat e nevojshme gjeografike dhe statusin e truallit.

13. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pas marrjes së dokumentacionit të nevojshëm nga organet e qeverisjes vendore, zyrat rajonale të kthimit të kompensimit të pronave apo organet e tjera shtetërore, njofton kërkuesin për t’u paraqitur pranë këtij institucioni, për të marrë autorizimin për pagesën e vlerës së truallit. Pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga data e lëshimit të autorizimit. Pas kryerjes së pagesës së vlerës së plotë të truallit, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave, në Ministrinë e Financave, lidh kontratën e shitjes së truallit me blerësin.

14. Pagesa e çmimit të truallit të objektit apo ndërmarrjes, që është privatizuar ose do të privatizohet, bëhet vetëm në lekë.

II. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Pagesa e qirasë së truallit për subjektet, që e kanë paguar dhe e paguajnë rregullisht atë, për objektet apo ndërmarrjet e privatizuara, bëhet në zbatim të akteve, ligjore a nënligjore, sipas periudhave përkatëse dhe kontratave të qirasë, të lidhura për këtë qëllim.

2. Ky vendim nuk do të zbatohet për procedurat e vlerësimit të truallit të objekteve apo ndërmarrjeve, dokumentacioni i të cilave është në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dhe ndodhen në fazën kur:

a)     ka përfunduar pagesa për vlerën e plotë të tyre;

b)     kanë filluar procedurat e publikimit, sipas vendimeve të mëparshme, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

c)     është konfirmuar nga organet e qeverisjes vendore vlera përkatëse e truallit, sipas legjislacionit të periudhës përkatëse, dhe nga AKKP-ja.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të nxjerrin udhëzimin përkatës, në zbatim të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.

5. Vendimi nr.850, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e shitjes së trojeve të ndërmarrjeve shtetërore apo të objekteve shtetërore, të veçuara, të privatizuara”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA
27/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›